Shkolla Finlandeze vjen në Kosovë

Shkollë me staf ndërkombëtar

Në Kosovë qysh nga shtatori i vitit të ardhshëm do të hap dyert për nxënësit e ciklit parashkollor, fillor dhe të mesëm Shkolla Finlandeze, shkollë e cila do të vijë me staf ndërkombëtar dhe me program të fokusuar në kreativitet, zgjedhje të problemeve dhe mësim përmes lojërave.

Sistemi finlandez, përveç lëndëve bazë, do t’u mundësojë nxënësve të programojnë dhe të mësojnë robotikën që nga mosha tre vjeçare. Teknologjia është gur themel i sistemit të Shkollës Finlandeze në Kosovë, duke iu mundësuar nxënësve aftësimin dhe mësimnxënien përmes lojërave dhe teknologjisë.

Gjithashtu fëmijët angazhohen në aktivitete dhe klube brenda shkollës, që përfshijnë artin (muzikë, pikturë, këndim, aktrim), sportin, punë dore, mësime nga kuzhina dhe socializmi përmes aktiviteteve në ambiente të hapura.

Themeluesi i Shkollës Finlandeze në Kosovë, Alejtin Berisha tha se për çdo prind i cili dëshiron kualitetin më të lartë të edukimit për fëmijët e tij Shkolla Finlandeze e Kosovës i ofron një ekosistem që i rritë fëmijët, duke nxjerr më të mirën nga ta, për të rritur kreativitetin e tyre dhe duke ofruar mundësinë që ata të socializohen.

Ai tha se hapësira në kampus, aktivitetet si dhe veçanërisht miniqyteti përbrenda kampusit “Helpri City” mundësojnë mësimin praktik të njohurive udhëheqëse, menaxhuese dhe nxitë shpirtin krijues të fëmijëve.

Për më tepër Berisha tha se me hapjen e kësaj shkolle, synojnë të ndryshojnë sistemin arsimor në Kosovë.
“Një vit e gjysmë kemi punuar shumë që të sjellim lajmin e mirë, po besoj lajmin shumë të mirë për Kosovën, hapjen e Shkollës Finlandeze, në të cilën po shpresojmë që kemi me ndryshua një herë e përgjithmonë sistemin e arsimit në Kosovë, duke krijuar një model të ri, ku nxënësi është definitivisht në qendër dhe ku nxënësi mezi nuk pret me u ngrit në mëngjes për të shkuar në shkollë. Në një shkollë ku nxënësi ka qejf me kalua kohë dhe duke u kënaqur mëson shumë”, tha ai.

Berisha tha se po vendosin themelet e një iniciative të re të Shkollës Finlandeze në Kosovë, e cila do të jetë e para, pasi tjera do të pasojnë në Kosovë.

Po ashtu, ai bëri të ditur se kjo shkollë do të hap dyert për nxënës në shtator të vitit të ardhshëm.
Shkolla Finlandeze e Kosovës ofron kampusin e parë të dizajnuar për t’i integruar mjedisin shoqëror, artin dhe teknologjinë së bashku. Çdo kat i kampusit ka hapësirë të destinuar ku nxënësit kanë mundësi të kalojnë kohën duke u socializuar dhe duke u relaksuar me bashkëmoshatarët e tyre. Mësimi në kampusin tonë ndodh kudo, në klasë, në laborator, korridore dhe në oborr. Siç premtuan, në Shkollën Finlandeze mësimi është kënaqësi për fëmijët.

Back to top button