Shkollat me rreth 30% më pak nxënës, institucionet kritikohen për mosreagim

Statistikat e fundit të maturës shtetërore tregojnë për një rënie të pjesëmarrësve në këtë provim. Sipas ish-zëvendës ministrit të arsimit, Nehat Mustafa, në 20 vitet e fundit ka një rënie të përgjithshme të nxënësve për rreth 30%. Njohësit e arsimit kritikojnë institucionet për mosreagim karshi kësaj dukurie.
Një rënie e numrit të nxënësve është evidentuar në statistikat e fundit të pjesëmarrjes në maturën shtetërore. Vlerësohet se brenda 10 viteve të fundit pjesëmarrja në maturën shtetërore është tkurrur për 60%.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, në vitin 2014 numri i nxënësve në testin e maturës ka qenë mbi 27 mijë, ndërkaq në vitin 2024, kishte mbi 20 mijë pjesëmarrës.
Në anën tjetër, ish zëvendës ministri i arsimit, Nehat Mustafa, zvogëlimi i numrit të nxënësve është pasojë e një sërë faktorësh, duke përfshirë këtu edhe migrimin. Ai tha se në 20 vitet e fundit numri i nxënësve ka rënë për rreth 30%.
“Po sigurisht që ka rënie, dhe kur bëhet krahasimi nëse nisemi nga viti 2023-4 e shohim që në procesin e arsimit parafillor deri në arsimin e mesëm të lartë kemi pasur deri në 430 mijë nxenës, ndërsa 10 vite ma vonë ky numër ka rënë në 400 mijë. Pastaj në vitin 2023-24 sips të dhënave nga MASHT, numri i nxënësve në arsimin para shkollor, para fillor dhe në atë mesem të lartë është 314 mijë, pra me këtë krahasim vrejmë qe në 20 vitet e fundit numri i nxenësve ka një rënie prej 30%”, tha Mustafa për rtv21.
Rënia e numrit të nxënësve ka qenë e pritshme, thotë njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
“Kjo ramja nuk është befasuese, pra kushdo brenda sektorit është ne dijeni, befasues është mosreagimi institucional për tu përshtatur politikat në investime në zhvillime karshi këtij trendi në ulje të nxenësve, pasi që implikimi është drejt për drejt në lidhje me shpërndarje të mësimdhënësve na lidhet me investime të tjera, dhe potencialin e tregut të punës”, tha Qehaja.
Në regjistrimin e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rezultatet treguan se ka tkurrje të popullsisë për rreth 8%. E kjo rënie sipas demografit Sami Behrami, reflekton edhe në numrin e nxënësve.
“Humbja e përspektives sidomos tek të rinjtë sjellë pasoja përpos në sistemin demografi janë tu u pasqyru edhe në arsim. Për cdo vit sistemi arsimor po ballafaqohet me zvogëlim të numrit të nxënësve si pasojë e zvogëlimit të lindshmërisë dhe migrimeve. Vetëm në periudhën 2008-2023 sistemin qrsimor të kosovës sistemin fillor e kanë braktisë mbi 105 mijë nxenës, në shkollimin e mesën, ky numër është zvogëlu per 42 mijë nxënës, kurse në shkollat e larta në fakultete është zvogëlu prej 2017 për 50 mijë studentë ma pak…”, tha Behrami.
Sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit shkollor numri i nxënësve të cilët kanë përfunduar shkollimin e mesëm të lartë është më i lartë sesa numri i nxënësve të cilët kanë hyrë në provimin e maturës shtetërore./RTV21/21Media