Shkon në 11 numri i viktimave nga përmbytjet

(Lajm i përditësuar)

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm goditën dy provinca turke që u shkatërruan nga tërmeti katastrofik i muajit të kaluar, duke vrarë të paktën 11 njerëz dhe duke rritur mjerimin për mijëra të cilët mbetën të pastrehë, thanë zyrtarët dhe raportet e mediave të mërkurën. Të paktën pesë persona të tjerë u raportuan të zhdukur.

Një person vdiq në qytetin Tut në provincën juglindore Adiyaman, ku ujërat e rrëmbyeshëm përmbyti një  kontejnerë që strehonte një familje të të mbijetuarve nga tërmeti, tha guvernatori Numan Hatipoglu.

Guvernatori i provincës fqinje Sanliurfa, Salih Ayhan, tha për televizionin HaberTurk se katër persona humbën jetën nga përmbytjet në rajonin e tij. Më vonë, shpëtimtarët gjetën trupat e pesë shtetasve sirianë brenda një apartamenti bodrum të përmbytur në Sanliurfa dhe morën një trup tjetër brenda një furgon që ishte bllokuar në një nënkalim, njoftoi agjencia private e lajmeve DHA.

Disa njerëz u evakuuan nga një kamp i mbytur ku të mbijetuarit e tërmetit ishin strehuar në tenda. Pacientët u evakuuan gjithashtu nga një spital, raportoi HaberTurk.

Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi pjesë të Turqisë dhe Sirisë më 6 shkurt, duke vrarë më shumë se 52,000 njerëz – shumica dërrmuese në Turqi. Më shumë se 200,000 ndërtesa në Turqi ose u shembën ose u dëmtuan rëndë.

10:11 – Përmbytje në zonën e prekur nga tërmeti në Turqi, ka viktima

Të paktën një person ka humbur jetën ndërsa 4 të tjerë janë zhdukur pasi një shtëpi-kontejner e vendosur në një oborr është përmbysur nga shirat e dendura në rrethin Tut të provincës juglindore të Turqisë, Adıyaman, raporton Anadolu.

Në rrethin Tut, i cili është një ndër vendet që u prek nga tërmeti me qendër në Kahramanmaraş më 6 shkurt, një përrua vërshoi për shkak të reshjeve të dendura.

Guvernatori i Tokat-it, njëherësh koordinator për provincën Adıyaman, Numan Hatipoğlu njoftoi se një kontejner është përmbysur nga uji që ka kapluar rrethin.

Ai njoftoi se një person ka humbur jetën ndërsa 4 të tjerë janë zhdukur, duke shtuar se vazhdojnë punimet për t’i gjetur të zhdukurit.

Ndërkohë, ekipet e AFAD-it, policisë, xhandarmërisë dhe bashkisë vazhdojnë evakuimin e çadrave ku ka rrezik nga përmbytjet./21Media

Back to top button