Shkon në 5 numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtlindjes në Gjermani

(Lajm i përditësuar)
Numri i të vdekurve si pasojë e një sulmi me veturë në tregun e Krishtlindjes në qytetin gjerman Magdeburg, është rritur në pesë të shtunën, njoftoi guvernatori i landit.
Guvernatori i landit të Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff, tha se mbi 200 njerëz të tjerë janë lënduar, shumë prej tyre rëndë, kur një burrë saudit i shkeli qëllimshëm njerëzit me veturën e tij BMW në tregun e Krishtlindjes të premten mbrëma.
Burri saudit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për t’u marrë në pyetje, si i dyshuar për shtypjen e njerëzve për këtë sulm.
Të premten, zyrtarët njoftuan fillimisht për të paktën dy njerëz të vrarë dhe paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritej.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se gati 40 nga të lënduarit “janë në gjendje aq të rëndë saqë ne duhet të shqetësohemi shumë për ta”.
Gazeta gjermane Bild raportoi se 41 njerëz u lënduan rëndë, 86 janë duke u mjekuar për lëndime të rënda dhe 78 të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Autoritetet gjermane po e hetojnë një mjek saudit, 50-vjeçar, i cili ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, si të dyshuar për shkeljen e njerëzve me veturë në këtë treg.
Policia e bastisi banesën e tij gjatë natës.
Nuk është e qartë se cilat kanë qenë motivet e tij dhe policia ende nuk e ka emëruar zyrtarisht të dyshuarin.
Por, mediat gjermane e kanë identifikuar atë si Taleb A.
Një burim saudit i tha Reuters se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai kishte postuar qëndrime ekstremiste në llogarinë e tij personale në X, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë.
Der Spiegel raportoi se i dyshuari kishte shprehur simpati për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gazeta nuk e specifikoi burimin e informacionit.
Gazeta FAZ e Gjermanisë raportoi se e kishte intervistuar të dyshuarin në vitin 2019, duke e përshkruar atë si një aktivist kundër islamit.
“Njerëzit si unë, që kanë një të kaluar islame, por nuk janë më besimtarë, nuk përballen as me mirëkuptim e as me tolerancë nga myslimanët këtu”, citohet të ketë thënë ai.
“Unë jam kritiku më i madh i islamit në histori. Nëse nuk më besoni, pyesni arabët”, kishte thënë ai.
Kancelari gjerman Olaf Scholz e vizitoi Magdeburgun të shtunën paradite.
Socialdemokratët e tij kanë ngelur mbrapa AfD-së dhe opozitës konservatore, e cila prin, në sondazhe para zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit.
AfD-ja i ka udhëhequr thirrjet për luftimin e imigracionit në vend.
Shkon në katër numri i të vdekurve nga sulmi në tregun gjerman të Krishtlindjeve
Të paktën katër persona janë vrarë duke përfshirë një fëmijë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi një makinë u përplas në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, Gjermani, të premten. Të paktën 68 persona u plagosën, duke përfshirë 15 persona me lëndime të rënda, sipas autoriteteve.
Është arrestuar shoferi i dyshuar, i cili dyshohet se ka vepruar i vetëm. Ai është një burrë 50-vjeçar dhe një mjek nga Arabia Saudite që punonte në Saksoni-Anhalt, thanë zyrtarët. Transmetuesi lokal MDR raporton se ai po ngiste një makinë me qira.
Kancelari gjerman Olaf Scholz do të udhëtojë në Magdeburg të shtunën. Në një deklaratë ai tha se mendimet e tij janë me viktimat e sulmit, duke shkruar “Ne jemi në anën e tyre dhe në anën e njerëzve të Magdeburgut”./21Media