Shkupi një ditë pas referendumit turk

Këta flamuj të Turqisë kishin ngelur në Çarshinë e Vjetër që nga festimet e mbrëmshme për referendumin turk që rezultoi në favor të presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Kjo temë është aktuale nëpër çajtoret dhe lokalet e Çarshisë. Se ky është muhabeti kryesor , e thonë edhe qytetarët.

“Ajo është mirë që mos të ketë grusht shteti më, mendoj se tani do të përmirësohet situata”, tha Ruzhdi Miftar, Qytetar, shkruan TV21.TV

“Ai fitoi mbrëmë dhe shumica e njerëzve që nuk jetojnë në Turqi tani janë të lumtur. Mund të shohim gjithandej flamuj dhe njerëz që festojnë. Dhe tani shpresoj që për Turqinë dhe për rajonin është një lajm i mirë”, u shpreh Hakan Ikinxhi, Qytetar.

Emocionet se si e ka përjetuar referendumin i shprehë edhe Ajla Jallçë, e cila nga Stambolli ka ardhur për pushime në Maqedoni.

“Nga njëra anë u gëzuam, nga ana tjetër edhe u mërzitëm. Morëm vota shumë, por kemi pritur edhe më shumë, kjo nuk ndodhi. Zotëri Taipi u mërzit, megjithatë përsëri ishte mirë”, tha Ajla Jallçë, Turiste nga Turqia.

Erdogan Saraç nga Lëvizja për Unitet Kombëtar të Turqve në Maqedoni, thotë se referendumi i djeshëm reflektoi një sjellje qytetare në Turqi.

“Mendoj se janë të kënaqur të gjithë turqit në botë për ndryshimet që janë bërë në Turqi, dhe nuk mendoj se për shkak të ndryshimit të qeverisjes mund të ketë ndonjë pakënaqësi, vetëm ata që bashkëpunojnë me armiqtë e Turqisë që nuk e njohin atë, mund të jenë të pakënaqur”, u shpreh Erdogan Saraç, Lëvizja për Unitet Kombëtar të Turqve në Maqedoni.

Sipas rezultateve preliminare, mbi 57 për qind e shtetasve turq në Maqedoni i thanë “Po” reformave kushtetuese në kuadër të referendumit për ndryshimet kushtetuese në Turqi, të cilat parashikojnë edhe kalimin në qeverisjen presidenciale.

Ndërsa, nga numërimi i 99% të votave të 55 milionë turqve, 51.3% e tyre i janë përgjigjur me “PO” referendumit për ndryshimin e 18 amendamenteve kushtetuese, të cilat i lejojnë Erdoganit të qëndrojë në pushtet deri më 2029./21Media

 

Back to top button