Shoqata e pacientëve kërkon largimin e Arben Vitisë nga detyra e ministrit

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka bërë të ditur se kërkojnë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të lirohet nga detyra e ministrit, kjo pasi që ky i fundit është përcaktuar në një rrugëtim politik dhe Ministria e Shëndetësisë ka nevojë për dikë që di të menaxhojë dhe të i zgjedh problemet që ka pacienti kosovar.

Sipas PRAK rritja e shpejtë  e numrit të rasteve me COVID 19 është shkaktuar si rezultat i neglizhencës së Institucioneve të cilat nuk kanë marrë masa proporcionale në raport me rrezikun që kanosej dhe nuk kanë monitoruar ato pak masa që kishin mbetur aktive.

”Tashmë është e kuptueshme se COVID 19 është një trend global, dhe se qeveritë e vendeve të ndryshme vetëm mund të minimizojnë pasojat, por jo ta ndalin atë. Situatën me menaxhimin e pandemisë COVID 19 asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka patur nën kontrollë dhe pasojat kanë qenë shumë të mëdha. Kjo vërehet edhe me rritjen e numrit të rasteve të vdekjes sipas agjencionit të statistikave! Gjithashtu, kjo shihet edhe në bazë të disa hulumtimeve të cilat tregojnë se afër 50% e qytetarëve e kanë kaluar COVID 19, e në evidencat shtetërore figurojnë shumë më pak të infektuar që nga fillimi i pandemisë!  Përkundër faktit që COVID 19 ka marrë fokusin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke lënë anash problemet e krijuara ndër vite në sektorin e shëndetësisë, megjithatë menaxhimi i pandemisë është larg një standardi të dëshiruar” është bërë e ditur në komunikatë.

PRAK i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës që shërbimet e tjera shëndetësore të vazhdojnë dhe të mos jenë të ndikuara nga situata me COVID 19, pasi që ndërprerja e shërbimeve të tjera shëndetësore në të kaluaren ka shkaktuar pasoja të mëdha dhe do të shkaktonte sërish./21Media

Back to top button