Shoqata e Prodhuesve bën thirrje për pezullimin urgjent të vendimit të fundit për tarifat e energjisë

Shoqata e Prodhuesve, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i bën thirrje të drejtpërdrejtë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për pezullimin urgjent të vendimit të fundit për tarifat e energjisë, i cili  sipas tyre po e rrezikon seriozisht sektorin prodhues të vendit.

“Fakti që ende nuk kanë ardhur faturat, tregon qartë se nuk ka pasur as përgatitje minimale për zbatimin e këtij vendimi. Kjo situatë dëshmon mungesën e transparencës, planifikimit dhe konsultimit me palët e prekura.

Ky vendim, në një kohë kur bizneset vendore po përballen me:
• rritje të madhe të importeve,
• rënie të eksportit,
• dhe vështirësi serioze në ruajtjen e tregjeve të BE-së,

po shndërrohet në një barrë të papërballueshme për prodhuesit tanë.”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj shoqat, rritja e menjëhershme e kostove të energjisë, pa asnjë paralajmërim apo diskutim me sektorin privat, rrezikon jo vetëm konkurrueshmërinë, por edhe vetë mbijetesën e shumë ndërmarrjeve vendore.

“Kjo është një thirrje e qartë për institucionet – sektori prodhues nuk mund dhe nuk duhet të përballet i vetëm me pasojat e vendimeve të njëanshme!

Kërkojmë nga ZRRE pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe fillimin e një procesi të përgjegjshëm, të hapur dhe të planifikuar për një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm në fushën e energjisë.

Sektori prodhues duhet të trajtohet si partner strategjik, jo si viktimë e politikave të nxituara.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të jetë gjithmonë pranë prodhuesve dhe bizneseve, në shërbim të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi./21Media

Back to top button