Shoqëria civile me aksion para Kuvendit: Deri kur?

Organizatat e shoqërisë civile kanë bllokuar hyrjen zyrtare të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Të njëjtit përmes protestës po kërkojnë zhbllokimin e krizës politike në vend.

“Deri kur”, “Marrëveshje politike”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar.

Para nisjes së seancës konstituive për here te 37-të, përfaqësues të OJQ-ve u ballafaquan edhe me deputetë, ndër ta Agim Bahtirin e LVV-së, i cili akuzoi deputetët që deri tani ishin në opozitë për ngërçin në Kuvend.

Drejtoresha e organizatës “Fol”, Mexhide Demolli tha se aksioni protestues do të vazhdojë tani e tutje, sa herë që të mblidhen deputetët për vazhdim të seancës.

“Përmes këtij aksioni protestues ne po shfaqim pakënaqësitë tona lidhur me mos konstituimin e Kuvendit edhe gjatë kësaj dite me gjasë do të vazhdoj rutina e njëjtë, seanca e 37-të do të mbahet dhe vazhdojmë të kemi një bllokadë nga gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Si organizata të shoqërisë civile në të kaluarën e kemi pasur edhe një performancë, kemi mbajtur takime edhe me partitë politike dhe kemi shprehur shqetësimet tona për mos funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës dhe ky do të jetë aksioni i vazhdueshëm nga sot e tutje në çdo të dytën ditë siç do të vijnë edhe deputetët në kuvend edhe ne do të jemi këtu për të kundërshtuar bllokadën që është krijuar nga partitë politike”, deklaroi ajo.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se është koha e fundit që deputetët të kenë një marrëveshje politike, për çka shtoi se është përgjegjësi e partisë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ajo çfarë po shohim është që ndonëse për gjithë qytetarët, për publikun në përgjithësi kjo situatë tashmë ka kaluar gjithë kufijtë e normales dhe është bërë boll siç po thonë edhe disa prej pankartave tona. Të vetmëve që nuk po u bëhet vonë e nuk është bërë boll, duket që janë deputetët e kuvendit, të cilët me një pa përgjegjësi të plot janë duke trajtuar situatën aktuale si diçka të zakonshme, ndonëse situata nuk është tillë. Dhe që tashmë kuvendi është shndërruar në një cirk të demokracisë i cili po vazhdon me shfaqjen e njëjtë tragjikomike, ku çdo 48 orë deputetët mblidhen për disa minuta punë dhe ndonëse po shohim që të njëjtëve pagat po u ecin, puna e tyre marrë së bashku që nga momenti kur është duke u tentuar që të konstituohet kuvendi mezi arrin dy orë të plota efektive pune”,

As Gjykata Kushtetuese, siç shtoi Cakolli, nuk mund ta zgjidh këtë ngërç, sepse sipas tij problemi kryesor është mungesa e vullnetit politik.

Edhe sot ka dështuar edhe seanca e 37-të në tentim për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës është caktuar të mbahet të premten, më 27 qershor në orën 11:00.

Back to top button