Shpaloset portreti përkujtimor i Enver Malokut në Selinë Qendrore të LDK-së

Për nderë të 25 vjetorit të vrasjes të Enver Malokut, Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku së bashku me familjen e ngushtë të Malokut, kanë shpalosur portretin përkujtimor të tij në Selinë Qendrore të LDK-së.

“Sot, një çerek shekulli pas, me familjen e ngushtë Maloku, me zonjën Hava, Doruntinën e Drinin, në Selinë Qendrore të LDK-së shpalosëm pllakën e portretin përkujtimor të tij. Ky portret e kjo pllakë, e vendosur në Murin e Nderit, do të na qëndrojnë si shenja të rënda që na ekojnë përherë dhe në përditshmëri”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Tutje ka thënë se Enver Maloku ka qenë patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, të cilin e vranë në banesën e tij në Breg të Diellit në Prishtinë, në moshën 45 vjeçare, raporton rtv21.tv.

“Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë”, shton i pari i LDK-së.

Enver Maloku ishte gazetar dhe shkrimtar nga Kosova, ai u vra nga forcat serbe më 11 janar të vitit 1999./21Media

Back to top button