Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit

(Lajm i përditësuar)
Familjarë, miq e kolegë përcjellin Shpat Kasapin për në banesën e fundit
Shpat Kasapi është përcjellur për në banesën e fundit.
Familjarë, miq e kolegë i dhanë lamtumirën këngëtarit i cili vdiq në moshën 40-vjeçare pas një arresti kardiak.
Sot në Tetovë pati edhe homazhe për artistin, për t’u mbajtur më pas mbledhja komemorative.
Këngëtari vdiq në Itali derisa po ndodhej atje për disa kontrolla mjekësore për djalin e tij, Roelin.
Blero për Shpat Kasapin: Njerëzit si ti nuk largohen kurrë, por kthehen në dritë
Blero, për Shpat Kasapin, tha se njerëzit si ai nuk largohen kurrë, teksa shtoi se ata kthehen në dritë. Derisa tha se ikja e tij i ka tronditur të gjithë.
“Ikja e Shpatit na ka tronditur të gjithve, sepse na iki një njeri që nuk do të duhej të ikte, një zemër e pastër, një shpirt i butë, një dritë që nuk pushonte kurr së ndriquari. Njerëzit si ti nuk largohen kurrë, por kthehen në dritë”, tha Blero./21Media
Labinot Gashi kujton intervistën e fundit me Shpat Kasapin
Labinot Gashi, ka kujtuar intervistën e fundit të cilën e ka bërë me Shpat Kasapin, në të cilën i njëjti iu ka bërë falënderime ndaj familjes së tij.
Kurrë në jetë nuk e kisha paramenduar që intervista e tij e fundit do të falënderonte secilin, nënën për sakrificën e mundin që e ka bërë për të, bashkëshorten që ia ka sjellë djalin në jetë, vëllaun, motren por mbi të gjitha ai iu thotë “më falni nëse ju kam lënduar. Kurrë në jetën time, nuk kisha paramenduar që unë do të flasë në këtë foltore për Shpat Kasapin, kurrë në jetë nuk do të kisha paramendu që intervista e fundit e tij, nuk do të jetë bashkë më”, tha Gashi./21Media
Edona Llalloshi: Drita që e mbaje në shpirt, nuk do të shuhet kurrë
Këngëtarja, Edona Llalloshi, në homazhin për Shpat Kasapin, ka thënë se drita që ai e mbante në shpirt, nuk do të shuhet kurrë. Teksa u shpreh se është tronditëse sot ndarja e tij e hershme nga jeta.
“Ai preku shpirtin e secilit nga ne, duke na dhuruar emocione të forta, ndërsa sot ne tronditemi nga ndarja e hershme e tij nga jeta. Para nesh sot qëndron trupi i një artisti i cili u shua fizikisht por jo edhe drita e tij, ajo dritë ai e mbante të ndezur gjithmonë në shpirtin e tij, nuk shuhet kurrë”, tha Llalloshi./21Media
Big Mama për Shpat Kasapin: Në çdo skenë emri yt do të përmendet gjithmonë me nder
Big Mama për Shpat Kasapin, ka thënë se emri i tij do të përmendet gjithmonë me nder. Ajo shtoi se zëri, shpirti dhe dashuria që ai ka lënë pas do të jetë përgjithmonë.
“Na ike shumë herët, shumë padrejtësi, por kujtimi i tij do të rroj në zemrat tona, në çdo melodi që e këndoi, çdo buzëqeshje që na dhuroi dhe në çdo skenë që emri i tij do të përmendet gjithmonë me nder. Do të na mungosh në çdo hap, moment, kujtim, por ti ske vdekur kurrë, zëri yt, shpirti, e gjithë dashuria që ke lënë pas do të jetojnë përgjithmonë”, tha Big Mama./21Media
Arif Ziberi: Të premtoj, duetin do ta bëjmë në botën tjetër të jesh i sigurt
Solisti i “Elita 5”, grup i njohur nga Tetova, Arif Ziberi, në ceremoninë mortore të Shpat Kasapit, ka kujtuar bisedën e fundit me këngëtarin në të cilën kishin biseduar për një duet. Teksa premtoi që atë “duet do ta bëjnë në botën tjetër”.
“Jam krenar se Shpati kishte qenë shumë i madh, ne nuk e kishim ditë. Kanë shkruar gazetat më të mëdha evropiane, kanë shprehur ngushëllime edhe botërore. Unë i premtova që do të pimë kafe, por nuk arrita, më ka mbetur një peng i madh. Do ta realizojmë atë duet në botën tjetër, të jesh i sigurt”, tha Ziberi.
Ai tregoi edhe momentin kur e mori lajmin se Shpati ka ndërruar jetë./21Media
Adelina Tahiri: Dua të besoj, se sot atje lart po këndon me engjëjt
Adelina Tahiri ka mbajtur një fjalim në mbledhejn komemorative për Shpat Kasapin. Ajo u shpreh se pavarësisht emrit të madh që kishte, për të ai do të mbetet gjithmonë Shpati me zemrën e butë dhe të pastë.
“Mendova se do të takohemi diku të hamë një drekë bashkë ashtu siç më premtove. Të paktën të këndonim edhe një herë në tavolinë ashtu siç dinim ne. Kaq shumë fjalë na mbetën pa u thënë. Pavarësisht emrit tënd të madh, për mua do të mbetesh gjithmonë Shpati me zemër të pastër, siç të njohëm të gjithë, i dashur. E deshe muzikën me gjithë qenien tënde. Dua të besoj, se sot atje lart po këndon me engjëjt. Të gjithë jemi udhëtarë të asaj rruge, dhe një ditë do të vijmë dhe ne, dhe atë ditë Shpatçe do të këndojmë bashkë, ashtu siç më premtove”, tha Tahiri.
Motra e Shpatit: Ti linde me yll në ballë, Roelin do ta shoh si sytë e mi
Në këtë ceremoni për Shpat Kasapin, motra e tij Jehona, e prekur thellë nga dhimbja, nuk mundi t’i mbante lotët.
Ajo u shpreh se Shpati lindi me yll në ballë, e i donte shumë fëmijët e pleqtë.
Derisa theksoi se amanetin e tij për djalin, Roelin do ta kryejë.
“Sot me zëmër të thyer jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim, është shumë e vështirë për të përshkruar fjalët për të përshkruar dhimbjet që ndjej. Shpat, shpirti i motrës, ti linde me yll në ballë, ishe një njeri i mirë, dije t’i ndjeje hallet nga empatia jote e madhe. Shpati ti i doje shumë fëmijët dhe pleqtë. Doje shumë të qeshësh, buzëqeshja ishte sinonim i yti”, tha ajo.
Nis ceremonia mortore për Shpat Kasapin në Pallatin e Kulturës në Tetovë
Ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë, Shpat Kasapi, ka filluar në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku janë mbledhur familjarë, miq, kolegë dhe adhurues të muzikës për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Atmosfera është e mbushur me emocione dhe trishtim, ndërsa të pranishmit i bëjnë homazhe artistit që u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare.
Përveç familjarëve të ngushtë, në ngjarje janë parë edhe figura të njohura të skenës muzikore shqiptare, mes të cilëve janë Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët kanë ardhur për të nderuar karrierën dhe kontributin e Shpat Kasapit në muzikën shqiptare.
Ceremonia mortore do të vazhdojë drejt varrezave të qytetit, ku Shpat Kasapi do të prehet përfundimisht, ndërsa kjo e sotmja shërben si moment për të përkujtuar jetën dhe arritjet e tij artistike.
Big Mama e përlotur në homazhet për Shpat Kasapin
Këngëtari i njohur Shpat Kasapi, ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare si pasojë e një ataku në zemër.
Ditën e sotme ai do të përcillet për në banesën e fundit, ndërkohë që homazhet janë caktuar të zhvillohen në Pallatin e Kulturës në Tetovë në orën 11:00.
Big Mama u shfaq thellësisht e prekur, me lot në sy gjatë ceremonisë së homazheve.
E veshur me rroba të zeza, ajo qëndroi pranë të pranishmëve, duke marrë ngushëllimet dhe duke mbajtur një shami në dorë, ndërsa emocionet nuk i lejuan të fshihej pas një qetësie të jashtme.
Në dorë mbante edhe një fotografi bardh e zi të Shpatit, që simbolizonte kujtimin e përhershëm dhe vendin special që ai do të kishte gjithmonë në zemrën e saj.
Big Mama dhe Shpati ishin miq të ngushtë dhe kolegë që prej vitit 1997, duke bashkëpunuar shpesh në programe festive.
Ajo ka treguar se pak ditë para ndarjes nga jeta, Shpati kishte shprehur dëshirën që ata të këndonin së bashku këngën “Sajzeza”. Pas ceremonisë, procesi mortor do të vazhdojë drejt varrezave të qytetit, ku dhe do të kryhet varrimi i Kasapit në orën 14:00.
Sot i jepet lamtumira e fundit Shpat Kasapit
Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët, të cilët me dhimbje kanë bërë të ditur detajet e ceremonisë mortore.
Homazhet për artistin do të zhvillohen nga ora 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit.
Njoftimi i plotë:
LAJMËRIM MORTOR
Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI
(1 Maj 1985 – 26 Nëntor 2025)
Shpati ishte një zemër e bardhë, një shpirt i gëzuar që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai falte vetëm dashuri e mirësi, dhe kush e njohu, e ndjeu ngrohtësinë e tij.
Ikja e tij e papritur ka thyer zemrat tona. Do të na mungojë zëri i butë, buzëqeshja e tij e sinqertë dhe prania që na jepte qetësi. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm për ne.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Shpatit tonë të dashur janë të mirëpritur të marrin pjesë në ceremoninë e tij.
Homazhet do të mbahen të Dielen, 30.11.2025, në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
Varrimi: në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij.
U prehtë në paqe.