Shpejtësi e madhe, dalin detaje të tjera nga aksidenti që i mori jetën Jotas dhe vëllait të tij

Aksidenti që i mori jetën Diogo Jotës dhe vëllait të tij André Silva, një lojtar i Penafiel, ndërsa po udhëtonin për në Santander, nga ku duhej të hipnin në një traget për në Angli, ka tronditur të gjithë botën e futbollit dhe sportit. Udhëtimi ishte organizuar në mënyrë që Diogo Jota të mund të arrinte në kampin stërvitor para sezonit të Liverpoolit, duke shmangur fluturimin pas një operacioni në mushkëri, pas të cilit iu këshillua të mos fluturonte.
Dy futbollistët portugezë po udhëtonin përgjatë autostradës A-52 drejt Benaventes me një Lamborghini Huracán të marrë me qira për këtë rast, transmeton KosovaPress.
Sipas Guardia Civil, në kilometrin e 65-të, ndërsa po përpiqeshin të parakalonin një automjet tjetër, një gomë shpërtheu, duke bërë që ata të humbnin kontrollin e automjetit, i cili doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët. Një aksident fatal që mori jetën e dy të rinjve, ndërsa detajet e para të tragjedisë kanë filluar të dalin në dritë.
Burime pranë hetimit, i cili është ende në vazhdim, sigurojnë se vlerësimi paraprak tregon se Lamborghini me të cilin po udhëtonin po e tejkalonte ndjeshëm shpejtësinë e lejuar në autostradë (120 km/orë). Ky përfundim u arrit nga hetuesit pas analizimit të gjurmëve të lëna në asfalt nga njëra prej rrotave të makinës sportive. Vlerësimi, i cili është ende në vazhdim, ka konstatuar gjithashtu se, në bazë të të gjitha provave të analizuara, drejtuesi i mjetit të aksidentuar ishte vetë Diogo Jota.