Shpërndahet materiali zgjedhor në 21 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) këtë të shtunë ka bërë shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër 21 komunat e vendit për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën.
Shpërndarja e marterialit zgjedhur u bë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi pë portalin rtv21.tv ka thënë se edhe në këto zgjedhje numri i fletëvotimeve të shtypura është më i ulët se numri i përgjithshëm i votuesve në këtë raund.
“Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, rreth 10% apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi”, ka thënë Elezi.
Elezi bëri të ditur se KQZ-ja përveç organizimit të votimit në 1,638 vendvotime, do të mundësojë edhe votimin e personave me nevoja dhe rrethana të veçanta si dhe të atyre të infektuar me Covid-19.
“Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2,450, prej të cilëve 1,544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit”, ka thënë tutje ai.
Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me Covid-19.
“30 ekipe mobile do të mundësojnë votimin e qytetarëve të cilët janë të infektuar me COVID-19 dhe që për shkak të masave kufizuese nuk mund të dalin nga izolimi për të votuar. Fatmirësisht, numri i rasteve aktive është i ulët dhe rrjedhimisht edhe i votuesve nga kjo kategori”, ka shtuar Elezi.
Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale do të mbahet nesër më 14 nëntor në 21 komuna të vendit./21Media

Back to top button