Shpërthen sëmundja “Mortaja Afrikane e Derrit”, AUV kërkon masa të biosigurisë në ferma

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bën të ditur se duke u bazuar ne situatën epidemiologjike të raporteve të publikuara në WOAH (Organizata Botërorë për Shëndetin e kafshëve ), ka lajmërime për shpërthime të sëmundjes Mortaja Afrikane e Derrit në shtetet përreth, Shqipërisë dhe Malit te Zi te popullata e derrave të egër.

Me anë të një njoftimi, kjo agjenci shton se së fundmi janë prekur fermat e derrave të butë ne shtetin e Serbisë në afërsi me kufirin e Kosovës.

“Andaj urdhërohen të gjithë fermerët mbajtës të Derrave që të ngritin nivelin e biosigurisë (masat vetëmbrojtëse) në fermat e tyre, duke aktivizuar barrierat me dezinfektues dhe kufizim të hyrje daljeve në ferma, përmes të cilëve synohet të mbrohen ekonomitë familjare të fermerëve dhe ekonominë e shtetit”, thuhet në kumtesën për media të AUV-it.

Tutje, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kërkon ngritjen e nivelit të gatishmërisë për institucionet relevante lokale dhe qendrore siç janë: Komunat, MBPZHR, APK, Federata e Gjuetarëve të Kosovës me shoqatat e tyre në nivel vendi, për marrjen e masave të nevojshme për rastet e dyshimta nga tereni.

“Secili qytetar, e në veçanti fermer, duhet të lajmërojë nëse sheh ndonjë derr të ngordhur apo nëse ka dyshime në sëmundje te ferma. Zyrat regjionale te AUV-së do të pajisen dhe shpërndajnë material informues (postera ,broshura ) te fermerët me këshilla të qarta profesionale për parandalimin e përhapjes se kësaj sëmundjeje”, thuhet në njoftim.

Back to top button