Shpeshtimi i vrasjeve e plagosjeve në Kosovë – Armët pa leje dhe “qërimi i hesapeve” kombinim fatal

Një person u plagos me armë zjarri mbrëmë në Prishtinë. Një 37 -vjeçar u vra para dy ditësh në Gjilan. Po ashtu para një jave një i mitur qëlloi me armë zjarri vëllain e tij më të vogël, duke i shkaktuar plagë. Sipas të dhënave të Policisë prej janarit deri në shtator të këtij viti kanë ndodhur 14 vrasje në Kosovë.

Njohësi çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi në një prononcim për portalin rtv21.tv tha se një ndër shkaktarët për këto vrasje e plagosje është edhe numri i madh i armëve ilegale që qytetarët e Kosovës posedojnë.

“Posedimi dhe përdorimi i armatimeve nga personat inkopetent po del të jetë një shqetësim serioz në Kosovë, ky shqetësim mund të themi se nga dita në ditë është duke u rritur për faktin se tani më kemi shumë viktima të cilët si pasojë e personave jo kompetentë kanë humbur jetën apo janë plagosur. Ne kemi pasur shumë raste ditëve të fundit apo muajve të fundit, ku personat të cilët kanë ardhur në posedim të armëve zjarri qoftë të gjata apo të shkurtëra, kanë arritur që të rrezikojnë sigurinë e përgjithshme apo edhe jetën e qytetarëve. Qoftë përdorimi i tyre me arsyje të ndryshme apo edhe përdorimi i tyre për qërim të hesapeve në mes grupeve të ndryshme. Mund të theksoj se këto shifra që ditëve të fundit i kemi në të gjithë Republikën e Kosovës janë alarmante dhe janë tregues serioz se kemi degradim serioz të shoqërisë sonë sa i përket kujdesit apo për të marrur të gjitha masat të mos lejimit të përdorimit dhe posedimit të armatimit nga personat inkopetent”, tha Elezi për rtv21.tv.

Ai tutje tha se Institucionet e Republikës së Kosovës, konkretisht Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata janë institucionet kryesore të cilat bartin mbi supe problemet në fjalë. Gjithashtu, sipas tij njëra ndër institucionet e rëndësishme është edhe Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Drejtoria e Sigurisë Publike e cila ka obligim të kordinojë aktivitetet e tilla së bashku me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Përgjithshme të Kosovës si dhe Gjykatat të cilat do të ndërmarrim veprime koherente.

Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2024 janë konfiskuar 1mijë e 186, armë të ndryshme.

“Policia e Kosovës përmes planeve të saj në vazhdimësi ka punuar për prandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, si dhe ka bërë fushata dhe apele të ndryshme për mospërdorim të armëve të zjarrit”, ka thënë Policia për portalin rtv21.tv.

Sipas statistikave, në baza vjetore, Policia e Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë numër relativisht të madh të municionit të kalibrave të ndryshëm si dhe mjeteve të ndryshme plasëse duke përfshirë edhe eksplozivet artizanal.

Tutje Policia ka bërë të ditur për rtv21.tv se në shtator të këtij viti me vendim të Gjykatës, është lejuar shkatërrimi i 993 armëve, prej tyre 372 armë të gjata dhe 621 shkurta, si dhe pajisje tjera.

Sipas statistikave deri në maj të vitit 2024, 230 mijë armë pa leje ishin në duart e qytetarëve të Kosovës.

Portali rtv21.tv ka kërkuar përgjigjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brenshme për armët legale e ilegale në Kosovë, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur.

Njohësi çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi tutje theksoi se është nevojë emergjente që institucionet përkatëse të marrin të gjitha veprimet e duhura për të parandaluar rrezikun e një jete të një qytetetari në të ardhmen për shkak të përdorimit të armëve nga persona inkopetentë.

“Çdo person i cili nuk është paisur me leje për pëdorimin e armëve konsiderohet person inkopetent dhe nuk i ka njohuritë e nevojshme për të konstatuar rrezikun që mund të bartë posedimi i një arme zjarri, andaj institucionet e Republikës së Kosovës duhet të organizojnë aktivitete të ndryshme që kanë të bëjë me ndërgjegjësimin të cilët hasin në një armë dhe është e palejuar apo pa leje që të raportojnë institucionet për të larguar nga të gjitha vendet ku ato armë mund të jenë të vendosura dhe të cilat sjellin rrezik. Në rast se nuk kemi një performancë të mirë nga këto institucione të ndërmerren veprime qoftë me ndryshimin e vendit të punës. Ne duhet të sigurohemi se ka veprime konform detyrave dhe përgjegjësive që kanë institucionet relevante për largimin e këtyre armëve nga duart e personave inkopetentë sidomos të miturve dhe se nuk kemi një përformancë të mirë për arsyje të tjera apo për mos veprim dhe njëkohësisht ne kemi edhe veprën penale e cila e konsumon të drejtën e mosveprimit si vepër penale nga personat komptenetë nëse nuk kemi veprime të duhura. Është nevojë emergjente që institucionet përkatëse të marrin të gjitha veprimet e duhura për të parandaluar, që të kemi një rrezik një jete të një qytetetari në të ardhmen për shkak të përdorimit të armëve nga persona inkopetentë”, tha Elezi.

Sipas Policisë gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1 mijë e 392 armë të ndryshme ndërsa, gjatë vitit 2022, janë konfiskuar 1 mijë e 473 armë.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë armët ilegale, njëkohësisht ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të dorëzohen dhe largohen armët ilegale nga duart e qytetarëve”, theksoi Policia./21Media

Back to top button