Shqipëria fiton ndaj Moldavisë

Shqipëria ka marrë fitoren e parë në kualifikueset për Kampionatin Evropian që do të mbahet vitin të ardhshëm ndaj Moldavisë me rezultat 2-0. Këto ishin tri pikët e para për kuqezinjtë në dy ndeshje të luajtura në këto kualifikuese.

Jasir Asani dhe Nedim Bajrami shënuan nga një gol në pjesën e dytë për t’i dhuruar Silvinjos fitore në debutimin e tij në shtëpi me Kombëtaren shqiptare.

Në përgjithësi, fitorja ishte e merituar pasi kuqezinjtë dominuan nga fillimi në fund, si për nga qarkullimi i topit ashtu edhe për rastet e krijuara në 90 minuta.

Edhe atmosfera në “Air Albania” në Tiranë ishte e jashtëzakonshme me stadiumin të mbushur plotë me tifozë.

Në Grupin E me pesë skuadra ku bën pjesë Shqipëria, Cekia është e para me 7 pikë në tri ndeshje të luajtura, më pas vjen Polonia me 3 pikë me dy ndeshje, e treta është Shqipëria po me 3 pikë në dy ndeshje. Moldavia është e katërta me 2 pikë ndërsa grupin e mbyll Ishujt Faroe me 1 pikë.

Ndeshjen e ardhshme Shqipëria e luan kundër Ishujve Faroe në fushën e kësaj të fundit dhe është padyshim favorite për të marrë tri pikë të tjera.

Back to top button