Shqipëria ngjall interes tek sllovakët

Shqipëria si një destinacion atraktiv turistik po ngjall interes edhe për sllovakët.

Kjo bëhet e ditur në një artikull të gazetës sllovake “Pravda” që titulohet “Shqipëria ngjall interes tek sllovakët”.

“Kur flasim për Shqipërinë të vijnë në mendje Adriatiku, Joni, natyra, bunkerët e diktatorit Hoxha dhe një liqen i bukur në kufirin me Maqedoninë, Ohri. Çdokush që vjen në këtë vend ka mundësi të shohë akoma më shumë dhe përvojat nuk do të jenë vetëm një kafe/express e mirë, madje me çmimin më të lirë në Evropë”, nis përshkrimi i artikullit të “Pravda-s”.

Shqipëria thuhet më tej, është një nga destinacionet ku turizmi po zhvillohet gjithmonë e më shumë. Megjithëse, duhet të thuhet se nuk është një vend i panjohur për anglezët, gjermanët, polakët, sllovenët dhe çekët, tashmë nuk është një vend i panjohur as për mbi rreth 12 mijë sllovakë të cilët referuar statistikave e kanë vizituar këtë vend në vitin 2016.

Kjo, shkruan “Pravda”, nuk është shumë, por krahasuar me vitin 2013 është një rritje e madhe. Pas një përshkrimi të detajuar mbi mënyrat se si mund të shkohet në Shqipëri, në artikullin e “Pravda-s” jepen edhe disa nga arsyet se pse sllovakët e duan Shqipërinë.

“Sllovakët e preferojnë Shqipërinë për plazhet pranë detit Adriatik dhe atij Jon; qytetet historike; natyrën e virgjër, malet dhe mundësitë për sportet malore; traditat dhe zakonet; turizmin fetar dhe peligrinazhet; llixhat, etj”, citohet Pravda.

Sipas Pravda-s, akomodimi në pensione mund të krahasohet me kushtet e akomodimit në Bullgari, por në çdo rast, çmimi është i përshtatshëm.

Back to top button