Shqipëria përballet me valë të temperaturave të larta

Pas disa ditësh kur vala e të nxehtit u zbut, kjo fundjavë ka rezervuar kushte të qëndrueshme atmosferike, që do të vijojnë edhe javën e re.
“Nga dita e shtunë e në vijim do të kemi zhvendosje të masave ajrore me origjinë nga anticikloni Azoreve, për t’i lënë vend depërtimit të masave ajrore me orgjinë nga anticikloni Afrikan. Temperaturat do të pësojnë rritje në të dyja vlerat, ndërsa moti do të jetë i kthjellët dhe me orë të gjata me diell në të gjithë territorin”, tha Eneida Doçi, nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, duke nisur nga dita e hënë, temperaturat në territorin e Shqipërisë do të rriten, ndërsa era do të fryjë e lehtë veri–jug–perëndim–jug–lindje, me një shpejtësi prej 6 metra në sekondë dhe herë pas here në zonën juglindore, përgjatë vijës bregdetare, deri në 10 metra në sekondë, e shoqëruar me valëzime deti të forcës 1 deri në 3 ballë.