Shqipëria U19 mbyll kualifikueset me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut

Kombëtarja e Shqipërisë U-19 ka mbyllur me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut rrugëtimin në kualifikueset e vlefshme për Kampionatin Europian 2022. Kuqezinjtë e Armando Cungut fituan me rezultatin 3-1, me gola të shënuar nga Asan Mata, Paulo Pjeshka dhe Stiven Bibo, në ndeshjen e tretë dhe të fundit të këtij raundi që u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”.
Shqipëria e filloi lojën me këtë formacion: Weiper, Preka, Bytyqi, Dervishi, Pjeshka, Zalli, Alivoda, Bibo, Hysaj, Mata, Toci.
Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit për kuqezinjtë në grupin 7, ku Shqipëria ishte shortuar së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kombëtarja shqiptare arriti të grumbullonte 4 pikë, po aq sa Serbia e vendit të dytë, por për shkak të golavarazhit, kuqezinjtë renditen në vendin e tretë në grup.
Ndeshjet e këtij grupi u zhvilluan të gjitha në vendin tonë, me Federatën e Futbollit që mirëpriti dhe organizoi të gjashta sfidat, duke i konfirmuar edhe njëherë qeverisë së futbollit europian, UEFA-s, seriozitetin dhe sigurinë në menaxhimin e aktiviteteve të tilla të rëndësishme në futboll./21Media

Back to top button