Shqiptarët e Luginës do të mund të blejnë prona në Kosovë
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj, i cili i përjashton shqiptarët e Luginës së Preshevës nga ndalesa e blerjes së pronave në Kosovë.
Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi disa nisma për marrëveshje ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe ajo për projektin për energjinë diellore fotovolkaike në KEK. Krahas kësaj propozuan Kuvendit të Kosovës, dy kandidatët, Batisha Ibrahimi dhe Meriton Zika për anëtar në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP).
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me plotësim-ndryshimin e ligjit, do t’i mundësohet shqiptarëve nga Lugina të blejnë prona në Kosovë.
“Duke pasur parasysh rrethanat dhe mungesën e raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, qytetarët e komunitetit shqiptarë në Luginë me dispozitat aktuale në fuqi të Ligjit bazik u bëhet e pamundur fitimi i të drejtës pronësore, pra bëhet e pamundur mundësia e blerjes së pronave në Kosovë, për shkak të mungesës së reciprocitetit”, ka thënë ministrja Haxhiu
Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se marrëveshja me Bankën Evropiane për Investime ka vlerën prej 107 milionë euro, ku 62 milionë prej tyre do të jenë kredi, 32 milionë grand, ndërkaq 13 milionë euro investim nga KEK-u.
“Ky projekt synon zhvillimin e një impianti fotovolkaike diellor me kapacitet të instaluar deri në 100 megavat, me rreth 152 gigavat orë energji elektrike prodhim në vit, të cilat do të ndihmojnë Kosovën në ngritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtritshme”, theksoi Murati.
Qeveria, po ashtu, ka emëruar bordin e kompanisë rajonale të ujitjes Drini i Bardh në Pejë, ku Arjeta Zeka është emëruar kryesuese, ndërsa anëtarë Ilaz Halili, Shkodran Gaxheri, Zamire Decani-Beqiri, Rina Kumonva dhe Besim Kajabegolli.