Shqiptarët në festë, Nik Gjeloshaj fiton në komunën e Tuzit

Në komunën e Tuzit në Mal të Zi, u mbajtën këtë të dielë zgjedhjet për pushtetin vendor.
30 vendvotime janë hapur që në orën 7 të mëngjesit dhe të drejtë vote kishin mbi 12.000 votues ndërsa pjesëmarrja në votime ishte 63.82%, dhe sipas përfaqësueseve të Komisionit Zgjedhor Komunal, ata u zhvilluan të qeta.
Në përfundim të numërimit rezultoi një tjetër fitore historike e “Forumit Shqiptar”, i cili ka arritur të sigurojë 18 mandate në Kuvendin e Komunës së Tuzit, osë shumicë absolute.
Në zgjedhjet vendore garuan 4 koalicione dhe tri forca politike të pavarura.
Koalicioni i DPS-së ka arritur të sigurojë 12 mandate, Lëvizja për Tuz 1 dhe Demokratët 1 Mandat.
Këto janë të dhenat paraprake që kanë dalë nga përllogaritjet e votave të numëruara në qendrat e votimit, ndërsa në rrugët e Tuzit shqiptarët kanë vërshuar në festë duke uruar njëri-tjetrin për këtë fitore.
Në koalicionin “Forumi shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, bëjnë pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Kombëtar Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Në anën tjetër gjendet koalicioni i gjerë i përbërë nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit aktual Milo Gjukanoviç, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve .
Këto dy lista cilësoheshin si konkurrentet kryesorë në fitoren e zgjedhjeve vendore në Tuz.
Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat e kryeqytetit. Banorët e Tuzit pritën gati dy dekada për t’u ndarë në një komunë të pavarur, që ishte kërkesa kryesore politike të spektrit politik shqiptar në Malin e Zi.
Në zgjedhjet e para, pas ndarjes nga komuna e kryeqytetit, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Gjukanoviq humbi pushtetin në Tuz, ku deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë./oranews

Back to top button