Shtëpia e Bardhë reagon pas dëshmisë së James Comey

Donald Trump nuk është gënjeshtar

Shtëpia e Bardhë ka mohuar pretendimet se Presidenti amerikan, Donald Trump dhe administrata e tij kanë gënjyer dhe kanë bërë shpifje, në përpjekje për të penguar hetimet për marrëdhëniet e tij të pretenduara me Rusinë, shkruan rtv21.tv

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se mund të thotë me bindje të plotë se Trump nuk është gënjeshtar dhe qartësoi se e ndien vetën të fyer.

Ajo këtë deklaratë e bëri pas dëshmisë së ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, të cilën ai e dha para Komitetit për Çështje të inteligjencës së senatit amerikan.

Comey akuzoi administratën e Trumpit për shpifje kundër tij dhe përhapje të gënjeshtrave për agjencinë që ka kryesuar, por refuzoi të komentoi se a ka tentuar presidenti amerikan të pengoi drejtësinë, duke kërkuar nga ai që të heq dorë nga hetimet në lidhje me lidhjet e pretenduara me Rusinë të ish-këshilltarit të presidentit për siguri kombëtare Michael Flynn.

Comey tha se administrata kishte vendosur që të përhapte shpifje për të dhe FBI-në, duke theksuar se kjo agjenci është në gjendje të mjerë.

Thjeshtë, ishin këto gënjeshtra, tha Comey me këtë rast.

Ai më tutje shtoi se nuk ka asnjë dyshim se Rusia ishte përzier në zgjedhjet presidenciale në Amerikë vitin e kaluar dhe shprehu bindjen se megjithatë nuk ka pasur ndryshim të vullnetit të votuesve.

Ndërkohë, ministria e drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka kumtuar se ministri i Drejtësisë, Jeff Sessions, është tërhequr nga hetimet në lidhje me përzierjen e Rusisë në zgjedhje.

Siç u kumtua, Sessions këtë vendim e ka marrë, pasi që ka qenë i përfshirë në fushatën parazgjedhore të Trump./21Media

Back to top button