Shtetet baltike dëbojnë 10 diplomatë rusë me vendim të koordinuar
Letonia, Lituania dhe Estonia kanë dëbuar 10 diplomatë rusë, sipas deklaratave nga ministritë e tyre të jashtme të premten.
Në një postim në Twitter të premten, Ministri i Jashtëm letonez, Edgars Rinkēvičs ka konfirmuar se vendimi “është koordinuar me Lituaninë dhe Estoninë”.
Lituania ka shpallur persona non grata katër punonjës të Ambasadës Ruse, ndërsa Letonia dhe Estonia kanë bërë të njëjtën gjë për tre punonjës të Ambasadës Ruse, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
“Aktivitetet aktuale të atyre personave nën mbulim diplomatik janë të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik dhe po i shkaktojnë dëm Republikës së Letonisë”, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Letonisë në një deklaratë të premten.
“Personat që i nënshtrohen dëbimit duhet të largohen nga Republika e Letonisë deri në orën 23:59 të datës 23 mars”, ka vazhduar deklarata.
Lituania ka urdhëruar gjithashtu katër persona, të personelit diplomatik të largoheshin nga vendi brenda pesë ditëve, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj.
“Shërbimet speciale ruse janë të përfshira në mënyrë aktive në planifikimin dhe ekzekutimin e pushtimit ushtarak të Ukrainës, duke kërcënuar jo vetëm sigurinë e Ukrainës, por edhe atë të Lituanisë”, është bërë e ditur në deklaratën e ministrisë së Lituanisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Estonisë ka informuar se të tre anëtarët e stafit të Ambasadës Ruse “kanë minuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive sigurinë e Estonisë dhe kanë përhapur propagandë që justifikon veprimin ushtarak të Rusisë”.
“Aktiviteti i personave në fjalë ka qenë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe për këtë arsye ata duhet të largohen nga Estonia brenda 72 orëve”, ka shtuar ministria estoneze./21Media