Shtetet e QUINT-it kërkojnë të mbahet referendumi serb në Kosovë

Shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian) i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë më ndërmjetësimin e OSBE-së.
”Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me praktikën e vendosur”, thuhet në komunikatë.
Këto vende kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
”Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet tutje.
Komunikata e plotë:
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.
I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal./21Media

Back to top button