Thaçi: Institucionet e vendit do të jenë pranë bizneseve kosovare
Shtohen eksportet kosovare në tregun evropian
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës në fabrikën që prodhon ambalazhe fleksbile plastike “KIVO”, ka thënë se institucionet e vendit do të jenë pranë bizneseve kosovare.
Për këtë kompani, që operon në qytetin e Kaçanikut, ai ka thënë se është dëshmia më e mirë që produktet vendore, çdo ditë e më shumë po eksportohen në tregun evropian. Njëkohësisht, edhe dëshmi që pavarësisht vështirësive, këto produkte po depërtojnë kudo, si në Holandë, Gjermani dhe në shtetet më të rëndësishme evropiane.
Sipas tij, Kosova ka një model të mirë të mundshëm për biznesin privat.
“Unë kam besim se modeli i tillë çfarë e kemi këtu është modeli më i mirë i mundshëm për biznesin privat, për bashkëpunimin vendor me atë ndërkombëtar, për klimën e mirë të biznesit në Republikën e Kosovës, për fuqinë punëtore, atraktivitetin në të investuar në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se kjo fabrikë është shembull për të tjerët.
“Kjo është një kompani, siç kam thënë edhe më herët, një shembull model për të tjerët që edhe vendi jonë, jo vetëm Kosova po edhe Kaçaniku që po ofron dhe ka mundësi për t’u ofruar investitorëve të huaj”, tha kreu i Kaçanikut.
Pronari i fabrikës “KIVO”, Visar Ramajli, ka njoftuar kreun e shtetit për kushtet në të cilat operojnë.
“Me presidentin biseduam edhe në lidhje me kushtet në të cilat prodhuesit operojnë në Kosovë, si dhe për krijimin e kushteve ndoshta edhe më të mira për investitorët e huaj. Mora përkrahjen e plotë nga presidenti që zhvillimi ekonomik i këtij vendi, gjithashtu edhe prodhimi në vend të jetë prioritet primar”, tha ai.
Ramajli bëri të ditur se në kompaninë që ai e drejton ka të punësuar mbi 110 punëtorë dhe eksporton edhe në vendet e tjera të botës.