Shtrenjtimi i rrymës, Murati komenton tarifat e reja për energji elektrike

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka komentuar shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind në Kosovë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Hekuran Murati, ka deklaruar se ekzekutivi nuk ka kontroll mbi çmimet e importit të energjisë elektrike, derisa u pyet nga gazetarët sa përket ngritjes së tarifave prej 16.1 për qind për energjinë elektrike në Kosovë.
Ai ka shtuar se përgjegjësitë kryesore të qeverisë në këtë drejtim lidhen me politikat afatgjata dhe investimet në sektorin energjetik, të cilat, sipas tij, nuk janë realizuar nga qeveritë e mëparshme.
Murati deklaroi po ashtu se gjatë mandatit aktual, qeveria ka ruajtur çmimin e shitjes së energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës në nivelin prej 30 euro për megavat orë.
“Sa i përket çështjes së tarifave të energjisë elektrike, në pjesën ku qeveria ka kontroll, së paku në afatshkurtër, sepse qeveritë e mëhershme pra kanë pasur kontrolle ndoshta në mënyrë të tërthortë se si të ndikojnë që të kemi furnizim më të qëndrueshëm e më të përballueshëm duke bërë investimet e nevojshme ashtu siç kemi avokuar kur kemi qenë në opozitë, por fatkeqësisht ato investime nuk janë bërë kurrë. Pra, çdoherë ka pas ose devijim të projekteve, ose tentime për të shkuar në terrene të cilat do të ndikonin në çmim të papërballueshëm. Sa na i përket neve, gjatë këtij mandati, ajo çfarë kemi mundur të bëjmë është çmimi i energjisë elektrike që KEK-u sa e shet, vazhdon të jetë 30 euro për megavat orë. Çka ka ndikuar në rritjen e tarifave mund të jenë dy çështje. Janë kostot operacionale të cilat i miraton ZRrE-ja, dhe është çmimi i furnizimit nga importi. Ne si qeveri kontroll mbi çmimet e importit nuk kemi, ashtu siç nuk kemi edhe në çmimet e naftës”, deklaroi ai.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të mërkurën ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind. Me pesë vota për dhe asnjë kundër Bordi i ZRRE-së miratoi tarifat e reja për konsumatorët.
Në mbledhjen e radhës, ZRRE bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen energji elektrike me tarifat e reja që nga data 1 maj i këtij viti deri më 31 mars të vitit 2026.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu tha se konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë, janë dy kategoritë që do të furnizohen me tarifat e reja prej 16.1 për qind që nga 1 maji i këtij viti.