Shtyhet për nesër mbërritja e grupit të parë të afganëve në Shqipëri
Grupi i parë i afganëve pritet të mbërrijë gjatë ditës së nesërme në Shqipëri.
Fillimisht ishte planifkuar që mbërritja të ishte sot në mbrëmje por, ky variant u anulua për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul të cilat kushtëzojnë ndryshime të planeve nga ora në orë.
Bëhet fjalë për rreth 300 deri 350 persona, kryesisht gra, aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan. Avioni që do t’i sjellë është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur disa tenda.
Në to do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.
Grupi i afganëve me gjasë do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas autoritetet parashikojnë që të gjejnë një vendndodhje të re.
Për momentin, janë identifikuar disa hotele në Durrës dhe disa prej godinave të rikonstruktuara të qytetit Studenti në Tiranë, me nje kapacitet total për dy mijë persona.
Kryeministri, Edi Rama ka bërë të ditur dy ditë më parë se qeveria e tij i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara për të pritur qytetarë afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga talebanët që kanë marrë kontrollin e Afganistanit.
Ndërsa, autoritetet shqiptare janë në pritje të grupit të parë, ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka pasur sot një takim me ministren e jashtme, Olta Xhaçka e ngarkuar me koordinimin e të gjithë procesit të pritjes dhe strehimit të qytetarëve afganë.
Qeveria shqiptare është shprehur se është e gatshme të presë disa qindra afganë por, zyrtarisht nuk është dhënë asgjë përfundimtare./Oranews