Shtyhet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

(Lajm i përditësuar)

Për shkak të mungesës së deputetëve të pranishëm në sallë, Kuvendi i Kosovës i ka mbyllur punimet e sotme, gjë që ka bërë që të mos hudhet në votim as rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) përmes së cilës kërkohet shkarkimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka njoftuar se në sallën e Kuvendit janë vetëm 50 deputetë.

“50 deputetë janë në seancë duke marrë pjesë, kështu që shihemi një ditë tjetër kur të ju lajmëroj”, ka thënë ai.

Menaxhimi me Iber-Lepenc, përplasen Hajdari dhe Beqa

Në seancën e sotme plenare kanë vazhduar përplasjet në mes të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Hajdari ka replikuar me deputetin Hajdar Beqa duke i thënë se Qeveria Kurti ka arritur ta ndalë keqpërdorimin në ministri.

“Sa herë që ju po flisni dhe po na sulmoni veç po na rrisni besimin publik për qeverisjen tonë, me gjasë këtë mllef që e keni kaq shumë në mua dhe kryeministrin Kurti ne vërtetë diçka po bëjmë mirë për popullin tonë. Por, kur jeni brengosur ju për Iber-Lepecin dhe menaxhimin e parasë publike, kur ju ishit në drejtim të Iber-Lepecit kur kishit ju ndonjë përkrahje të qeverisjes së mirë, asnjëherë, ju keni qenë gjithmonë në keqpërdorim të parasë publike kjo është historia jote, dhe historia jonë është se po ndalet keqpërdorimi dhe gjakderdhja financiare në MINT”, tha ajo.

Ndërsa deputeti Hajdar Beqa, u shpreh se në kohën sa ka udhëhequr me Iber-Lepecin asnjëherë nuk ka pasur shkelje.

“Personalisht ndihem mirë për çdo gjë, që kam qenë në luftë në Kosovë por edhe në Iber-Lepenc e kam menaxhuar mirë dhe për 5 vite nuk kam pas asnjë ankesë, asnjë shkelje krejt auditimet kanë dal mirë, kurse kjo ministrja pikërisht për projekte të ndërmarrjeve publike që kanë të bëjnë edhe me Iber-Lepencin kjo ka shkruar emaile, kjo ministrja që po e luan këtu njeriun e mirë pikërisht kjo ka shkruar mesazhe e ka ndërruar email me disa investitorë dhe disa zyrtarë që sot janë nën dyshime për projekte të ndërmarrjeve publike”, tha ai.

​Hajdari-opozitës: Shpifni dhe nuk arguementoni

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari i është kundërpërgjigjur sot kritikave të partive opozitare që i kanë adresuar për menaxhim të këtij dikasteri, duke u thënë se po shpifin dhe nuk po argumentojnë.

Ministrja Hajdari është shprehur se për skandalet e vazhdueshme që po flet opozita nuk janë paraqitur në raportin e Auditorit.

“Ju thoni se kemi skandale të vazhdueshme, a janë dokumentuar në ndonjë raport të Auditorit këto skandale të vazhdueshme, sepse kemi pas auditim përpos disa vonesa në disa grante të mëhershme për shkak të procedurave me udhëzime a ka ndonjë shkelje në raportin e auditorit. Pastaj ju thoni për projektin e Bankës Botërore, projekti i BB është projekt që ka qenë huamarrje nga qeveria e Kosovës janë dhënë afër 9.2 milionë euro përkrahje direkte tek bizneset, të cilat janë në nevojë…ju shpifni që ne kemi dhënë para për një piano në Dubai, por nuk është e vërtetë dhe kjo është një shpifje shumë e rëndë nga ju sepse nuk ka pas asnjëherë interferencë ekspo-Dubai me fondet e Bankës Botërore”, ka thënë ajo.

Ndërsa, ajo ka theksuar se opozita shpifë dhe nuk argumenton asgjë sa i përket edhe ekspozitës Ekspo-Dubai.

“Ju shpifni, por ju nuk argumentoni duhet me thënë të vërtetën saktë çka, por jo vetëm fjalë të shpikur, skandalin duhet me argumentua me fjali se çka konkret kemi bërë në skandal në Dubai është mirë ta argumentoni me argument. Artefaktet i përmende shumë mirë, artefaktet janë në menaxhim të organizuesve të ekspozitës Ekspo-Dubai dhe aty kanë marr 192 shtete”, ka thënë ajo.

Sa i takon kritikave për shkarkim të sekretarëve permanent, ajo ka thënë se asgjë nuk ka personale me asnjë, por kur bëhet një gabim duhet të ndërrohen.

“Emërimi dhe shkarkimi i 7 sekretarëve permanent ju i paskeni gjet 7 janë më pak janë ushtrues detyre ata janë zyrtarë të MINT unë jam ministre e përgjegjshme që kur bëhet një gabim ose nuk ka mundësi të menaxhoj duhet të ndërrohet dhe asgjë nuk ka personale me këta sekretarët ka thjesht menaxhimi efektiviteti i ministrisë së Industrisë“, ka thënë ajo.

Ministrja Hajdari i ka quajtur shpifje edhe akuzat e PDK-së për blerjen e rezervave të vajit.

Të gjitha këto komente ministrja eIndustrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari i ka bërë pas kritikave që ka marrë nga partitë opozitare karshi menaxhimit të saj në këtë dikaster dhe rezolutën e PDK-së për shkarkimin e Hajdarit në seancën e sotme plenare.

​AAK e quan të paaftë dhe të dështuar ministrinë e Industrisë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj e ka quajtur sot ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si ministri të paaftësisë.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, Lekaj ka thënë se kjo ministri, nuk i ka sjellur asnjë punë të mirë Kosovës.

“Shefja e grupit parlamentar të LVV e dini edhe ju që vetë fjalës së vetë nuk i besoj se nuk ka çka të mbroj se vetë ka qenë ministre e kësaj ministrie dhe mendoj se kot edhe në fjalimin e saj bëri të qeshura…ne si spektër politik, por edhe qytetarët e Kosovës definitivisht janë pajtuar që institucioni që udhëheqni ju quhet ministri ama emrin e vërtetë e ka ministria e paaftësisë. Një ministri e dështuar në palcë, e cila nuk qenë në gjendje një punë të hajrit me ia sjell Kosovës që tri vite. A e keni pyetur ndonjëherë veten se kur të largoheni nga kjo pozitë për çfarë do të mbaheni mend? Ne si AAK vlerësojmë që është mëkat politik dhe shtetëror që një ministrie bazë e shtetit me të gjithë ato potencialet që ka duke e ditur gjendjen e dobët sociale të qytetarëve, duke ditur krizën e ekonomike nuk keni qenë në gjendje të merrni vendime të zbusni sadopak krizën që e ka kapluar Kosovën në këto dy vite”, ka theksuar Lekaj./B.Ibishi

Tahiri: Kërkesa për shkarkimin e ministres Hajdari legjitime dhe e mirëqenë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar padi për procedurat e klasifikimit si sekret shtetëror për rezervat shtetërore.

Ai tha se këto procedura janë të kundërligjshme.

“Një prej skandaleve më të mëdha, i kemi rezervat shtetërore. Po iu them me përgjegjësi të plotë se procedurat të cilat janë klasifikuar si sekret shtetëror për rezervat shtetërore janë të kundërligjshme dhe po iu them se do t’i padisim dhe do t’i ndjekim në gjykatë për këtë rast. Vendi ku ruhen rezervat shtetërore është plotësisht normale me qenë sekret shtetëror, ajo nuk duhet me u ditë kur ruhen rezervat shtetërore por nuk duhet me u ble, por sa është blerë qysh është blerë, procedurat e kompanitë ku janë këto nuk munden me qenë sekrete shtetërore. Ato rezerva shtetërore që i kanë blerë në Turqi i kanë blerë nga një kompani e ndërtimit ndërmjetësuese, ka qenë një furrë në Kosovë”, tha ai.

Kërkesën e PDK-së për shkarkim të ministres, Rozeta Hajdari, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka quajtur legjitime dhe të mirëqenë.

“Kërkesa jonë për shkarkimin e një ministreje e cila në njërën anë dënohet për mos deklarim të pasurisë dhe në anën tjetër bënë dëme kaq të mëdha në kuadër të kësaj ministrie është plotësisht legjitime dhe ju duhet me e marrë si të mirëqenë këtë kërkesë dhe duhet me qenë vet koshient me ndihmuar në këtë proces sepse ia lehtësoni punën edhe kësaj qeverie me largimin e kësaj ministre”, tha ai.

Tutje, deputeti Tahiri u shpreh se dikur kur LVV ka qenë në opozitë e kishte problem të madh çështj e pasuirës së politikanëve e tash po e relativizon.

“Pra, ministrja në fjalë është dënuar dhe tashmë është vepër penale, është dënua nga Gjykatat e Kosovës me vendim të prerë dhe sot kjo për LVV-në, çuditërisht sa ka qenë në opozitë ka qenë një problem shumë i madh çështja e pasurisë së politikanëve tashmë po relativizohet deri në atë masë sa që nuk është problem, edhe pse është dënuar, kjo mundet të vazhdojë të punojë lirisht”, tha ai në seancën në Kuvend.

 

Shala: Dikush nga qeveria po i mbulon aferat milionëshe të MINT-it

Partia Demokratike e Kosovës në seancën e sotme të Kuvendit ka paraqitur mocion për rezolutën për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala i cili ka prezantuar këtë mocion ka listuar siç tha ai, disa nga dështimet dhe skandalet e Ministrisë së Industrisë.

Ai u shpreh se “dikush i fortë nga Qeveria e Kosovës po qëndron prapa skandaleve dhe keqpërdorimeve në këtë ministri”.

“Shqyrtim-propozimi i rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Qeveria dhe menaxhimi i MINT nga ministrja, Rozeta Hajdari ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës… Projekti i Bankës Botërore në vlerë prej 15 milionë euro, i keqmenaxhuar juridikisht dhe operacionalisht, duke trajtuar disa biznese e duke anashkaluar shumë të tjera meritore duke ridestinuar dhe keqmenaxhuar këtë projekt. Skandali i radhës është i ‘Dubait Ekspo 2020’ ku 8 muaj ditë arte faktet e Kosovës mbesin në Dubai, ndërsa kabineti qeveritar kthehet pas 8 muajsh, na vijnë pa e ditur saktë pa e ditur gjendjen e tyre, pra një ministre që i lë arte faktet kryesore shtetërore, historike në Dubai. Emërimi dhe shkarkimi deri më tan i 7 sekretarëve permanent. Një ministri e cila brenda një gjysmë mandati dyvjeçar shkarkon dhe emëron 7 sekretarë permanent do të duhej të reflektonim të gjithë ne për të ditur se çka po ndodhë”, tha ai.

Duke iu referuar ministres Rozeta Hajdari, Shala tha se çdo vendimmarrje nga ajo tregon “keqmenaxhim të skajshëm”.

“Nuk është vetëm çështje opozitare por edhe çështje ekonomike e çështje sociale, çështja e investimeve kapitale çka po ndodh në këtë ministri dhe pse ne duhet të heshtim. Çka duhet të ndodh tutje nga kjo qeveri për të marrë masat për shkeljet enorme që kanë ndodhur tash e dy vite për miliona euro dhe për degradimin njerëzor dhe ligjor që u bëhet kuadrot. Aferat e tilla të cilat po heshtën dashur e pa dashur na kanë sjell deri në inflacion kaq të lartë deri në import kaq të madh të produkteve deri tek një politikë e tillë që parimisht po e shkatërron mirëqenien e ekonomive tona familjare, por e dëmton rëndë buxhetin e shteti… Andaj sot si grup parlamentar iu kërkojmë që të debatojmë hapur që t’i ngirisim shqetësimet tona, që të nxjerrim në pah të vërtetën dhe të nxjerrim bashkërisht një rezolutë e cila do të na nxjerr nga situatë edhe ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë dhe pozicionin e qeverisë dhe kryeministrit Kurti nëse nuk është pas këtyre aferave. Nëse pas sodit kryeministri Albin Kurti nuk reagon dhe mazhoranca atëherë ta keni të qartë që dikush i fortë, shumë i fortë në qeveri po i qëndron prapa në mbulimin e këtyre aferave milionëshe në keqpërdorime që janë të prekshme e të matshme”, tha ai.

Kusari-Lila kërkon që PDK të tërheqë rezolutën për gjendjen në ministrinë e Tregtisë

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sot që të tërhiqet rezoluta e PDK-së për gjendjen në ministrinë e Tregtisë, Industrsië dhe Ndërmarrësisë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë në seancën e Kuvendit se kjo rezolutë nuk ka as bazë kushtetuese dhe as vlerë përmbajtësore.

“Të nderuar deputet përmirësimi i mjedisit për biznes ka qenë punë dhe angazhim dhe fokus i ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë andaj iu inkurajoj që të shqyrtoni dhe të tërhiqni atë rezolutë, e cila nuk ka as bazë kushtetuese e as ndonjë vlerë përmbajtësore në raport me materialin që prezanton”, ka thënë ajo.

Tutje, deputetja Kusari-Lila është shprehur se të akuzohet ministrja Hajdari për skandale të shumta nga një parti, e cila ka qenë pjesë e qeverisjes PAN është çudi.

“Jeni në rrjedha të ngjarjeve ekonomike dhe me thënë që asnjëherë më shumë në ministri të Tregtisë nuk ka pasë skandale duke marrë parasysh se keni qenë partnerë koalicioni në PAN në qeverinë PDK-AAK-Nisma dhe ajo ministri jo që është keqmenaxhuar dhe është abuzuar skajshmërisht krejt çka ka qenë për tu abuzuar e gjallë dhe vdekur aty brenda e tash me e nxjerr dhe kërkuar atë çka ju mendoni që po bëhet përtej punës së qeverisë Kurti dhe ministres Hajdari është për çudi”, ka thënë ajo.

Back to top button