Shtyhet seanca, Konjufca kërkoi mendimin e opozitës, por nuk i dëgjoi

Kuvendi i Kosovës shtyu për në orën 13:00 seancën e cila ishte planifikuar të mbahej në orën 11:00.
Kryetari Glauk Konjufca, në fillim të seancës kërkoi të dijë nëse opozita do të marrë pjesë në votim, në të kundërtën të pres derisa deputetët e pozitës të jenë prezent në sallë.
“Kemi një problem për ta zgjidhur, do të kërkoja mendimin e grupeve parlamentare. Meqenëse do të marrë kohë intervistimi i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pra dhe një pjesë e deputetëve të mazhorancës janë atje. Meqenëse pikë e ardhshme të rendit të ditës e kemi një votim, për të cilin opozita nuk ka votuar në seancën e kaluar, kërkoj përcaktimin e grupeve parlamentare nëse do të votojnë. Nëse nuk voton opozita atëherë detyrohem që këtë seancë ta shtyjmë deri në orën 13:00, kur mazhoranca po premton që i ka numrat”, tha Konjufca.
Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se nuk do ta votojnë vazhdimin e gjendjes emergjente për energji elektrike.
“Nuk do të marrim pjesë në votim fare. Në anën tjetër, nuk do të duhej të  mbahej peng seanca për në numër jo shumë të madh të mospjesëmarrjes së deputetëve”, tha ai, duke shtuar se seanca duhet të vazhdoj ashtu siç ishte planifikuar, shkruan rtv21.tv
“Në këto kushte aktuale mazhoranca nuk i ka numrat, kështu që vazhdojmë me LDK-në”, reagoi Konjufca.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se Konjufca ka qasje të gabuar.
“Është një qasje e gabuar me kërkua paraprakisht prej deputetëve me u deklarua për në çështje e cila është në diskrecion të deputetëve se si do të marrin vendim apo të sillen”, tha Gashi.
Ndërsa, Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, tha se nuk do të duhet të duhej të ketë ndikim puna e komisioneve në punën e seancës plenare.
“Nuk duhet të shtyhet seanca”, theksoi ai.
Më pas, Konjufca shty seancën për në orën 13:00.
“Ju nuk ishit ndoshta i pranishëm në seancën e fundit. Por të gjitha diskutimet kanë përfunduar dhe është vetëm votim. Kështu që shihemi në orën 13:00”, tha ai./21Media

Back to top button