Shtyhet seanca për kontestin UP-Kisha Ortodokse Serbe
Është shtyrë seanca përgatitore për rastin ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) ka paditur Komunën e Prishtinës dhe Kishën Ortodokse Serbe, për vërtetimin e së drejtës së shfrytëzimit dhe kthimit në posedim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha.
Gjyqtari ka vendosur të shtyjë seancën derisa të vendoset për hudhjen ose jo të padisë për mungesë të legjitimitetit.
Ilire Aydogan, avokate shtetërore, e cila përfaqëson Komunën e Prishtinës, ka kërkuar të ndërpritet seanca dhe të përjashtohet gjyqtari pasi i njëjti s’mund të vendos për propozimin pa u vendos për çështjet procedurale.
Universiteti i Prishtinës ka ushtruar padi më 2015. Aty thuhet se që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.