Shtyrja e regjistrimit të popullsisë, Krasniqi: Paaftësi e thellë e Qeverisë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se dështimi i Qeverisë për të filluar regjistrimin e popullsisë, rikonfirmon edhe një herë paaftësinë e thellë e cila tashmë sipas tij është bërë sinonim i çdo veprimi nëpër të gjithë sektorët e shtetit.

Ai ka shkruar se rreziku është që regjistrimi i popullsisë të mos bëhet fare këtë vit.

“Fillimisht, e shtynë këtë proces nga viti i kaluar, ndërkaq, tash, nga 1 shtatori kur është dashur të filloj, e shtyen përsëri për disa muaj. Në fakt, rreziku është që regjistrimi i popullsisë të mos bëhet fare këtë vit, e Kosova të lihet pa statistika legjitime dhe tejet të rëndësishme. Përkundër arsyetimeve të rreme të Qeverisë, ekzistojnë disa arsye, tërësisht politike se pse po shtyhet regjistrimi i popullsisë. E para: Qeveria e ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, andaj s’është e aftë që t’i regjistrojë qytetarët atje. E dyta: emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovës, ku, vetëm brenda këtyre mbi dy viteve të kësja qeverie, janë larguar nga vendi rreth 150 mijë qytetarë. E treta: katrahura që e ka kapluar Agjencionin e Statistikavë të Kosovës, për shkak të ndërhyrjeve politike e partiake në të nga ana e Qeverisë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai më tej ka thënë se qytetarët e Kosovës, së paku meritojnë një shpjegim të sinqert nga Qeveria për këtë skandal të ri. Regjistrimi i popullsisë është jetik për krijimin e politikave dhe veprimeve të mirëfillta dhe afatgjata qeverisëse, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

“Prandaj, i bëjë thirrje Qeverisë që të ndaloj shkatërrimin e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, përmes ndërhyrjeve dhe trysnisë së përditshme politike, dhe të punojë urgjentisht që procesi i regjistrimit të popullsisë të fillojë sa më parë. Pa statistika s’ka planifikim. Pa planifikim s’ka progres! Por, fatkeqësisht, ne kemi nje Qeveri që punon edhe pa plan edhe pa program”, shkruan ai.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button