“Shumë miliarda për miq dhe dosta”, Haradinaj kritika ndaj qeverisë Kurti

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se sipas ASK-së gjatë qeverisjes së Kurtit, mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën.

“Sipas ASK-së qeveritare gjatë qeverisjes së Kurtit, mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën, ani se për filozofët e qeverisë, Kosovën po e braktisin gjyshet”, tha Haradinaj.

Përmes një postimi në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se janë mbi 250 milionë euro tendera njëburimorë.

“Mbi 250 milionë tenderë njëburimorë (vrima të lavdishme buxhetore) për dosta e miq, janë historike por aspak për të mirë dhe organet e drejtësisë heret a vonë do të kenë shumë punë”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka shtuar se Kosova është nën sanksione të BE dhe SHBA dhe kjo është e paparë dhe historike.

“Dëmi deri tash, rreth 300 milionë euro, pra gropë e madhe e buxhetit dhe bajagi historike. Albini e ka implementuar marrëveshjen e 2013-tës për stickersa, targa të veturave dhe sot paska thënë edhe marrëveshjen për energji dhe kjo është historike”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i AAK-së tutje ka shtuar se Kurti e ka marrë statusin e “Veteranit Luftëtar” pa e veshur kurrë uniformën e UÇK-së dhe pa prekur kurrë armë me dorë, siç e parasheh ligji.

“Kjo s’ka qenë e lehtë, por është historike përnjëmend edhe goxha njëfarë grope. Asnjë njohje për 4 vjet qeverisje, asnjë anëtarësim. Gropa apo vrima të mëdha këto që ky kryeministër e kjo qeveri, nuk kanë as dije, as vullnet e as kohë t’i sanojnë. Ata tash janë orientu nga zgjedhjet e radhës që janë mashtrimi i radhës”, ka shkruar Haradinaj.

Back to top button