Si do të llogaritet rryma e shpenzuar në shkurt me tarifë të vjetër dhe të re?
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO njoftoi se me vendimin Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja do të fillojnë së aplikuari nga 9 shkurti. Menyra e implementimit të llogaritjes se konsumit është marrja e konsumit në total dhe ndarja në mesatare ditore.
“Me këtë metodologji të propozuar nga KESCO është pajtuar edhe ZRRE-ja”, thuhet në njoftim.
“Në mënyrë që të evitohet cdo keqkuptim, konsumi do të kalkulohet në dy pjesë, nga data e leximit të faturës deri me 9 shkurt dhe nga 9 shkurt e deri në datën e leximit. Faturimi deri me 9 shkurt do të llogaritet me tarifë të vjetër. Pastaj do të bëhet kalkulimi tjetër me tarifë të re. Pra, edhe nëse i keni shpenzuar më tepër se 800 kWh deri me 9 shkurt, ato nuk do të llogariten për të hyrë në bllok tarifë, por kalkulimi do të fillojë sërish nga zero deri në datën e leximit. Me anë të kësaj metode, pjesa më e madhe e konsumatorëve do të lirohen nga bllok tarifa, edhepse kanë shpenzim mbi 800 kWh”, thuhet tutje në njoftim.
Nga KESCO thonë se konsumatorët do të njoftohen lidhur me shpenzimin me tarifa të vjetra dhe të reja në faturat e fundit që do t’i pranojnë gjatë ditëve në vijim. Pastaj, konsumi që fillon pas dërgimit të faturës së ardhshme e tutje do të fillojë të njehsohet me tarifa të reja./21Media