Si i ftoi Rubin përfaqësuesit e Kosovës në Rambuje?

Më 1 shkurt 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua bënë thirrjen e fundit përfaqësuesve të Kosovës, që t’i përgjigjeshin pozitivisht ftesës për negociatat paqësore në Rambuje të Francës.

Kjo, me porosinë që, aty të jenë të bashkuar për të mos e humbur rastin historik.

“Ne presim që aty të jenë të pranishëm njerëz që mbështesin pavarësinë. Besoj se të gjitha grupet kryesore politike në Kosovë e mbështesin pavarësinë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Pyetja është nëse mund të arrijmë një masë kritike të shqiptarëve të Kosovës që ta kuptojnë se kjo është një mundësi historike që nuk duhet humbur, se dritarja e mundësisë e krijuar nga uniteti i Grupit të Kontaktit dhe vendeve evropiane, si dhe vendimi i NATO-s për ta mbështetur këtë me një kërcënim të qartë dhe të besueshëm për përdorimin e forcës ushtarake kundër serbëve nëse ata shkelin angazhimet e tyre ose refuzojnë të bien dakord me planin e Grupit të Kontaktit, përbën një mundësi unike dhe historike për shqiptarët e Kosovës që t’i realizojnë ato që janë kërkesat e tyre themelore.”, ka thënë James Rubin, zëdhënës, DASH.

Por, në të njëjtën paraqitje me zëdhënësin Rubin, ish-sekretari i Mbrojtjes, William Cohen, ua pati qartësuar atyre se SHBA-ja mbështet gjetjen e një zgjidhjeje paqësore në tavolinë, por që jodomosdoshmërisht është pavarësia e Kosovës.

“Ne jemi përpjekur gjithashtu t’u bëjmë të qartë kosovarëve se nuk do ta mbështesim përpjekjen e tyre për të fituar pavarësinë; ne besojmë se ata duhet të kenë autonomi më të gjerë. Por nëse ata llogarisin që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s thjesht të shërbejnë si forca e tyre ajrore, atëherë janë gabuar. Mendoj se ata do të duhet të ulen në tryezë për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje, përndryshe kjo nuk do të ketë sukses”, ka thënë William Cohen, sekretar i Mbrojtjes, SHBA.

Bisedimet në Rambuje filluan më 6 shkurt 1999.

Back to top button