Si mund ta dimë që kemi Tuberkuloz?

Personat me sëmundje të Tuberkulozit shpesh ndihen të dobët ose të lodhur, humbin peshë, kanë ethe dhe djersiten gjatë natës. Nëse sëmundja e TB ka prekur mushkëritë (siç ndodh më shpesh), ata gjithashtu mund të kenë kollë dhe dhimbje gjoksi, apo edhe mund të nxjerrin gjak me kollitje. Nëse kemi Tuberkuloz të unazave të shtyllës kurrizore kjo shfaqet me dhimbje kronike të shpinës, e te TB e veshkëve kemi urinim me gjak (urinë me ngjyrë të kuqe), ka shpjeguar pulmologu Dr. Besim Morina në intervistën për rtv21.tv.
Ai ka thënë se Tuberkulozi (TB) është një sëmundje bakteriale që shkaktohet nga Bacili i tuberkulozit dhe zakonisht prek mushkëritë. Tuberkulozi më rrallë prek pjesët tjera të trupit.
Si përhapet Tuberkulozi
Dr. Besim Morina ka thënë se mikrobet e Tuberkulozit përhapen nga një person te tjetri përmes ajrit. “Ato shpërndahen në ajër në rastin kur një person me sëmundjen e tuberkulozit të mushkërive kollitet, tështin, qesh ose flet me zë të lartë. Njerëzit aty pranë mund të thithin ajrin me mikrobe të tuberkulozit dhe kështu të infektohen. Tuberkulozi NUK përhapet duke përdorur enët ose gotat, ose duke e prekur një njëri të infektuar. Më të rrezikuar janë personat në afërsi të personit të infektuar, sidomos ata me imunitet te ulur”.
Në intervistën për rtv21.tv, pulmologu Besim Morina ka treguar se si diagnostikohet Tuberkulozi.
Në rast të dyshimit për infeksion me Tuberkuloz, duhet të bëhet një test të lëkurës për tuberkulozin (PPD testi) ose një test me gjak për tuberkulozin (Quantiferon TB Gold). Për testin e lëkurës për TB, përdoret një gjilpërë të vogël me të cilën injektohet tuberkulina nën lëkurë. Ndërsa për analizën e gjakut, duhet të merret një mostër e gjakut nga vena. Nëse testi rezulton negativ zakonisht do të thotë që ju nuk jeni të infektuar me mikrobet e tuberkulozit. Megjithatë, testi mund të jetë rrejshëm negativ nëse sistemi juaj imunitar nuk funksionon siç duhet ose nëse jeni infektuar pak kohë para testimit. Nëse testi del pozitiv, zakonisht tregon që ju jeni infektuar me mikrobet e tuberkulozit. Kjo nuk do të thotë që ju keni sëmundje aktive të TB. Për ta konstatuar sëmundjen aktive të Tuberkulozit duhet te bëhen teste të tjera, si një radiografi e gjoksit ose një analizë e pështymës (gëlbazës), ashtu që merret gëlbaza dhe analizohet nëse ka mikrobe të Tuberkulozit apo pjesë të tyre”, ka shpjeguar Dr. Morina.
Tutje, Dr.Morina ka folur për trajtimin e Tuberkulozit, dhe për medikamente që përdoren.
“Si sëmundja e tuberkulozit ashtu edhe infeksioni latent i tuberkulozit, duhet të trajtohen me barna. Në të dy rastet përdoren barna në formë tabletash të quajtura Atituberkularë. Por në rastin e infeksioni përdoren vetëm dy sosh për një periudhë më të shkurtë, ndërsa te sëmundja active e tuberkulozit merren zakonisht katër lloje të këtyre barnave për një periudhe më të gjatë (së paku 4 muaj). Nëse NUK trajtohet, një person me sëmundje të TB mund të ketë probleme serioze shëndetësore dhe të vdesë”, ka bërë të ditur pulmologu.
Si është të jetosh me Tuberkuloz?
“Të qenit me Tuberkuloz është e vështirë. Përveç sfidës së trajtimit të mundimshëm me terapi të shumtë për një kohë të gjatë, personat e sëmurë ballafaqohen edhe me izolim, pastaj me kufizim të aktiviteteve të përditshme dhe me stigmatizim nga rrethi shoqëror”, ka thënë Dr.Morina./21Media
https://www.facebook.com/dr.besimmorina

Back to top button