Si reagoi policia ndaj protestave të ndryshme?
“Revolucioni i larmë” vs. “për Maqedoni të përbashkët”
Topa uji, barrikada të hekurta, kordonë policorë në disa reshta dhe forca speciale gjithandej. Kështu ruhej Kuvendi, qeveria dhe institucionet e tjera gjatë protestave anti-qeveritare të “Revolucionit të larmë” vitin e kaluar, kur shumë ndërtesa dhe përmendore u goditën me “bomba” ngjyre.
Në këto pamje mund të vërehet se si forcat speciale përdorin forcë kundër protestuesve
Protestuesit shpeshherë nuk mundeshin të arrinin deri te institucionet ku kishin paralajmëruar protesta.
Aktivisti Demijan Haxhi-Angellovski nga “Revolucioni i larmë” thotë se gjatë protestave që zgjatën tre muaj, ka pasur edhe ditë kur ata nuk kanë mundur t’i afrohen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Por javën e kaluar, protestuesit që hyrën në Kuvend dhe shkaktuan kaos, u pritën miqësisht nga ana e policisë.
“Mund të shiheshin si protestuesit përqafoheshin me njësitë speciale dhe policinë, Ato ishin pamje shokuese. Këtu shihej një bashkëpunim aktiv mes policisë dhe protestuesve, gjegjësisht dukej sikur policia i ndihmonte protestuesit të hyjnë në Kuvend”, u shpreh Demijan Haxhi Angellovski, aktivist i Revolucionit të Larmë, shkruan TV21
Sipas njërit prej udhëheqësve të lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët”, Bogdan Ilievski, të enjten “turma që hyri brenda në Kuvend nuk mund të kontrollohej”.
“Ndodhi shpërthimi i një mllefi të cilin nuk e arsyetoj dhe nuk do të kisha thënë se mund të kuptohet, por ajo nuk më nuk mund të përsëritet, sepse dhuna nuk është opsion dhe nuk është rruga jonë”, tha Bogdan Ilievski, aktivist i iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”.
Me thellimin e krizës politike dhe shoqërore në Maqedoni, vërehet edhe rritje e gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në rrjetet sociale. Sipas drejtoreshës së Komitetit të Helsinkit, arsyeja për këtë është mosndëshkimi nga institucionet kompetente i atyre që promovojnë gjuhën e urrejtjes.
“E gjithë kjo është dëshmi për atë që ne po flasim me muaj se gjuha e urrejtjes sjell dhunë, dhe këtë e pamë edhe disa ditë më parë, por gjithashtu për fat të keq pamë edhe se strukturat policore gjatë ngjarjeve të këtilla nuk i ndërmorën masat të cilat i posedojnë për ta ndalur dhunën ndaj deputetëve të cilët ishin të pranishëm në Kuvend”, tha Uranija Pirovska, drejtoresha e Komitetit të Helsinkit.
Në vend të përpjekjeve për qetësimin e situatës, sidomos pas këmbënguljes së përfaqësuesve të shteteve të tjera dhe organizatave të ndërkombëtare me të cilat Maqedonia bashkëpunon në mënyrë aktive, iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët” do të vazhdojë të protestojë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?