Si t’ua mësoni fëmijëve empatinë?

Empatia është aftësia për të kuptuar emocionalisht se çfarë ndjejnë njerëzit e tjerë, për të parë gjërat nga këndvështrimi i tyre dhe për të imagjinuar veten në vendin e tyre. Në thelb, është të vendosni veten në pozicionin e dikujt tjetër dhe të ndjeni atë që ata duhet të ndjejnë.
Psikologia Arlinda Bytyqi ka detajuar për portalin rtv21.tv empatinë të fëmijët.
“Duke qenë empatik ne gëzojmë mardhënie dhe miqësi shumë pozitive kështu duke reduktuar keqkuptimet dhe duke qenë gjithmonë aty për persona të cilët janë pjesë e jetës sonë, me dashamirësi me, këshilla, duke qenë dëgjues i mirë dhe në të njejtën kohë të qenurit empatik është i rëndësishëm për mirëqenien fizike dhe psikologjike, duke na ndihmuar të mësojmë rregullimin dhe menaxhimin e emocioneve tona dhe nxitjen e sjelljeve të dobishme”, u shpreh Bytyqi.
Por, a duhet mësuar empatinë fëmijëve tuaj?
“PO, padyshim se po si cdo aftësi tjetër edhe empatia mund të mësohet, faktikisht prezencën e saj e vërejmë tek fëmijët qysh në moshë shumë të hershme kur fëmija qan kur dëgjon një fëmijë tjetër duke qarë, por ndër vite që nga mosha 2 vjeç atëherë kur fëmija ndërton teorinë e mendjes që fillon të kuptojë se siç ata kanë ndjenja dhe mendime ashtu edhe të tjerët kanë mendimet dhe ndjenjat që ndryshojnë nga ai atëherë ne mund të i’u ndihmojmë për të ndërtuar themele të forta të empatisë”, ka thënë më tej Bytyqi për portalin rtv21.tv
Sipas Bytyqit, ka një moshë idelae kur duhet filluar që fëmijët t’i njoftoni me emocionet.
“Fëmijëve qe nga mosha 2-5 vjeç mund t’i ndihmojmë duke i njoftuar ata me emocionet dhe trupin, p.sh. nëpërmjet këngëve si: nëse ti je i lumtur rreh shuplaka, duke u lexuar histori të ndryshme  me fjalë të shkurta ku ka karaktere që përjetojnë emocione të ndryshme dhe diskutoni lidhur me ndjenjat e tyre se si duhet vepruar kur ai/ është i/ mërzitur, luani sikur po kujdeseni për një lodër që është e dëmtuar, afrojini fëmijët tuaj me të tjerët etj”, u shpreh më tej Bytyqi.
Bytyqi ka thënë se nga mosha 5 vjeç ju mund të merni foto të ndryshme ku janë të paraqitura emocionet dhe t’u tregoni atyre se cila është ndjenja dhe gjuha e trupit kur ai përjeton një emocion të caktuar, p.sh. nëse fëmijës tjetër i është marrë lodra, ju duhet t’i tregoni fëmijës suaj se si ndjehet dhe arsyen pse.
“Pyeteni se kur ai rrëzohet si ndihet? Bëjani evidente se po ashtu ndjehet edhe shoku/shoqja, si ndjehet ai kur dikush e ngacmon, kur humb ndonjë lodër, e kështu me radhë dhe në fund mësojini atij se si mund të jetë hero në një situatë të caktuar psh nëse shoku i bankës ka humbur një laps dhe është mërzitur si duhet të veprojë ai, të mendojë se si ndjehet personi tjetër duke pyetur veten po unë si do të ndihesha dhe t’i afrohet shokut t’a pyesë si ndjehet dhe si mund t’a ndihmojë ai”, ka thënë psikologia Arlinda Bytyqi
Këshillë:  Prindër të dashur jini model i sjelljes së mirë dhe empatisë për fëmijët tuaj sepse edhe ata do t’a bëjnë të njejtën gjë duke e parë se si bëhet, si duket si ndjehet, sepse ju jeni çelësi kyç i çdo sfere zhvillimi të fëmijës tuaj./21Media

Back to top button