​Sigurimi shëndetësor e pensionimi i parakohshëm për policët, s’kalon amendamenti në Kuvend

(Lajm i përditësuar)


​Sigurimi shëndetësor e pensionimi i parakohshëm për policët, s’kalon amendamenti në Kuvend

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përkrahur dy amendamente të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) sa i përket sigurimit shëndetësor dhe pensionimit të parakohshëm për policët.

Duke i prezantuar amendamentet, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se të njëjtat janë të nevojshme për policinë.

“Propozoj që të shtohet kodi i ri buxhetor në vlerë pesë milionë euro për pagesën e sigurimit shëndetësor të Policisë së Kosovës”, tha ai.

Për mos kalimin e këtyre dy amendamenteve ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se i vjen turp që është pjesë e kësaj legjislature.

“Më vjen shumë turp që jam pjesë e këtij parlamenti. Sot e keni pas mundësinë që të përmirësoni gabimet që i keni bërë gjatë gjithë kësaj legjislature ndaj policisë së Kosovës”, tha ajo.


Pushteti nuk e përkrah rritjen e koeficientit të pagave për sektorin publik

Propozimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani i cili ishte me përkrahje të Komisionit për buxhet, që koeficienti i pagës nga 110 euro, sa është paraparë në projektbuxhetin për 2023 të rritet në 115 euro për vitin e ardhshëm, nuk ka kaluar.

Kundër tij kanë votuar shumica e deputetëve të partisë në pushtet.

“Amendamenti 7, pika A është me mbështetje të komisionit funksional, është i propozuar në komision dhe është votuar me shumicën e anëtarëve të komisionit dhe ka të bëjë me vlerën e koeficientit, d.m.th. vlera monetare e koeficientit për Ligjin për Paga në sektorin publik është që të bëhet 115 euro. Pra, ka kaluar në komision dhe është me mbështetje të komisionit funksional për dallim prej amendamente tjera që nuk kanë pas mbështetjen e komisionit funksional”, tha Rrahamni.

Ndërkaq, për këtë Konjufca tha se nuk do të ishte i Komisionit Funksional po të mos kalonte me shumicën e votave.

“Nuk do të ishte i Komisionit Funksional po të mos kalonte me shumicën e votave”, tha Konjufca.


Projektligji për buxhetin, Tahiri: Është kthyer në një dokument të një partie politike

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se Projektligji për ndarjet buxhetore është kthyer në një dokument të një partie politike ose e një kabineti qeverisës që ka mbështetjen e këtyre deputetëve.

Në seancën plenare, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky ligj i ka 64 amendamente dhe se prej tyre asnjë nuk do të miratohet.

“Kemi para nesh jo ligjin për buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, por ligjin i cili është kthyer në një dokument të një partie poltiike, të një kabineti qeverisës që ka mbështetjen e këtyre deputetëve e fatkeqësisht këta deputetë nuk i ka vet askush dhe asnjë amandament të vetëm nuk kanë mundur ta fusin në këtë ligj. Është qeveria në emër të votës së tyre përcakton dhe bënë çka të dojë. Ky ligj i ka 64 amendamente dhe prej tyre asnjë nuk do të miratohet. Jemi duke folur për një dokument puro politik që shfrytëzon buxhetin për përfitime partiake në kurriz të këtyre deputetëve, për të shpërndarë ndihma dhe për dështimet e politikave qeverisëse që i kanë pasur gjatë këtyre tri viteve”, tha Tahiri.

Tahiri ka akuzuar qeverinë për ngecje të investimeve kapitale, për çfarë tha se mbi 1 mijë e 700 projekte kapitale të vitit 2023 ende janë të pafilluara.

“A jeni të vetëdijshëm që për vitin 2022 shpenzimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë vec 60 për qind, ndërsa për vitin 2023 ka qenë vetëm 35 për qind e që po themi se do të arrijë tek 60 për qindëshi… Për dy vite rresht kjo qeveri nuk ka arritur të investojë në projektet kapitale 80 për qind të buxhetit të vet…Mbi 1 mijë e 700 projekte kapitale të vitit 2023 ende janë të pafilluara, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka arrit deri në shtator t’i nis 167 projekte, Ministria e Kulturës 165, Ministria e Arsimit 43, Ministria e Financave 35, Ministria e Pushtetit lokal 31, Ministria e Punëve të Brendshme 27, Ministria e Shëndetësisë 18, Ministria e Drejtësisë, 18, e Bujqësisë 14, e Zhvillimit Rajonal 11, Ministria e Ekonomisë 9, Ministria e Punëve te Jashtme të Diasporës 9 e kështu me radhë ”, shtoi Tahiri.


Lushataku: Qeveria po ua humb shpresën qytetarëve për të jetuar në Kosovë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Merigm Lushtaku tha se asnjë amendament i deputetëve nuk është marrë parasysh nga komisioni për buxhet. Ai tha se kjo qeveri me keqqeverisjen e saj ka bërë që qytetarët të humbin shpresën për të jetuar në Kosovë.

Lushtaku në seancën e sotme të Kuvendit, ku po shqyrtohet për herë të dytë projektligji për buxhetin e vitit 2024, shtoi se vendimi i qeverisë për t’i ndihmuar kategorinë e pensionistëve dhe fëmijëve, është për t’i mashtruar ata, pasi sipas tij, për 11 muaj nuk është kujtuar t’i ndihmojë qytetarët.

“Është për fat të keq që duhet të vërtetojmë në kurrizin e qytetarëve se çfarë është në gjendje të bëjë Qeveria Kurti vetëm për t’i mashtruar qytetarët dhe vetëm për të paraqitur hipokrizinë e tyre edhe në fund të vitit, duke bërë që gjoja në fund të vitit po ndihmon qytetarët dhe kategoritë më të ndjeshme. Ndërsa këto 11 muaj nuk është kujtuar t’i ndihmojë ato shtresa”, tha Lushtaku.

Ai tha se kjo Qeveri do të mbahet mend vetëm për demagogji dhe vetëm për keqqeverisje, për mungesë të transparencës, për bllokim të komisioneve hetimore, për fshehje të hajnive dhe për degradim të çdo institucioni dhe çdo dinjiteti të qytetarëve të vendit.

Ndërsa, derisa shtoi se asnjë investim kapital nuk është realizuar, apo nuk ka projekte të mëdha që ka investuar kjo qeveri.

Ai po ashtu se marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë implementuar qëllimisht.


LDK: Qeveria të reflektojë dhe ta tërheq Projektbuxhetin për një rialokim komplet tjetër

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja gjatë shqyrtimit në lexim të dytë të Projketbuxhetit 2024 ka paraqitur para deputetëve raportin e Komisionit me 64 amendamentet e propozuara kryesisht nga deputetët e opozitës, e të cilat sipas tij nuk kanë marrë përkrahjen e Komisionit.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës këtë seancë deputetja nga LDK-ja, Hykmete Bajrami tha se pas disa ngjarjeve që kanë ndodhur, Qeveria është dashur të reflektojë dhe ta tërheq ligjin e buxhetit, duke shtuar që duhet të kthehet në rialokim komplet tjetër, e që sipas saj ky ligj të shkojë në lexim të tretë.

Ajo shtoi po ashtu se rezultatet e dobëta në testin PISA, duhet të jenë alarm për qeverinë. Sipas saj në krahasim me vitet e kaluara, Kosova nuk ka shënuar arritje në këtë drejtim.

Mes tjerash, ajo tha se sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit 33 për qind e shkollova në vend dhe 77 për qind të paraleleve nuk i përmbushin kushtet për të mbajtur mësim sipas kritereve ligjore që janë në fuqi.


Komisioni për buxhet, propozohet rritje e koeficientit të pagave

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar me 50 minuta vonesë për shqyrtim të dytë të Projektligjit për buxhetin 2024, i cili pritet të jetë rreth 3.3 miliardë euro.Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja ka paraqitur para deputetëve raportin e Komisionit me 64 amendamentet e propozuara kryesisht nga deputetët e opozitës, e të cilat nuk kanë marrë përkrahjen e Komisionit.

Ndërkohë Komisioni ka propozuar që koeficienti i pagës për punonjësit e sektorit publik për 2024 të jetë 115 euro, e jo 110 siç është paraparë në buxhet.


Kuvendi sot shqyrton buxhetin e vitit 2024 në lexim të dytë

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare në të cilën do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin për vitin 2024.

Në rend ditë është vetëm kjo pikë.

Seanca plenare do të nisë në orën 10:00.

Back to top button