Kaloni te përmbajtja kryesore

Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku vizitën në Preshevë

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për vizitën e planifikuar të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku, vetëm një orë para realizimit.

“Qeveria e Serbisë refuzoi këtë vizitë vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Sinani përmes një postimi në Facebook.

Ajo e ka përshkruar këtë hap si dëshmi e tentimeve për izolim të shqiptarëve të komunës që ajo udhëheq.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me vizitën e planifikuar të Çekut në Preshevë, por nuk ka marrë përgjigje.

Kjo Zyrë pati thënë më herët se Prishtina ua ka ndaluar vizitat përfaqësuesve të saj për të vizituar serbët e Kosovës në festën fetare të Shën Nikollës, që shënohet me 19 dhjetor.

Sipas saj, kjo përbën shkelje të marrëveshjes për lëvizje të lirë, të arritur mes dy vendeve më 2011.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button