Sindikata e Kuvendit të Kosovës reagon për uljen e pagave

Shoqata Sindikale e Kuvendit të Kosovës reagon në lidhje me uljen e pagave të punëtorëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e ekzekutimit të pagave të muajit shkurt të vitit 2023, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik
“Sindikata e Kuvendit të Kosovës, përveç se ka shumë vërejtje për padrejtësitë e koeficienteve për të punësuarit e Kuvendit të Kosovës të caktuar me Ligjin e Pagave dhe me vlerën e koeficientit të caktuar me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin e vitit 2023, me të cilat të punësuarve në Kuvendin e Kosovës iu janë ulë pagat.”, thuhet në reagim.
“Përveç këtij diskriminim, tani me rastin e ekzekutimit të pagave për muajin shkurt të vitit 2023, në kundërshtim me Ligjin për Pagat, përkatësisht të nenit 41 për shtesën transitore që garanton që në vitin e parë do të jepet kjo shtesë në shumën 100% të diferencës të pagës së re me pagën e mëparshme, të punësuarve të Kuvendit iu janë ulë pagat në shuma variushme për këtë muaj.”, vijon reagimi
Kjo sindikatë i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit, Kryesisë së Kuvendit dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve që menjëherë ta sqarojnë me shkrim këtë çështje, “të na i paguajnë pjesën e pagës e cila duhet ta arrijë pagën të cilën e kemi realizuar para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ashtu siç është e përcaktuar me nenin 41 (shtesa transitor) të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.”
Po ashtu i bëjnë thirrje Kryesisë së Kuvendit që pa vonesa tjera t’i miratoj të gjitha aktet nënligjore që kanë të bëjnë me pagat, shtesat dhe kompozimet për të punësuarit në Kuvendin e Kosovës dhe atë në përputhje me natyrën dhe kushtet specifike të punës të Institucionit më të Lartë të Republikës së Kosovës, aty ku të gjitha dokumentet dhe vendimet e nivelit shtetëror kalojnë dhe procedohen nga stafi i Kuvendit në bashkëpunim me deputetët dhe trupat e Kuvendit.
“Kërkojmë që të respektohet dinjiteti i punës së stafit të Kuvendit duke ju garantuar atyre së paku mos dëmtimin e tyre në uljen e pagave të cilat i kanë realizuar deri më tani.”, përfundon reagimi./21Media