Sindikata e minatorëve reagon: Po gjeni kohë për shantazhe dhe po tentoni ta njollosni grevën

(Lajm i përditësuar)


Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ndaj Ndërmarrjes “Trepça”, pasi kjo e fundit ka publikuar disa fotografi të punëtorëve duke thënë se ata po e bojkotojnë punën.

Sindikata thotë se në fotografi janë grevistet, të cilët po ndihmojnë minatorët e mbyllur në minierë.

“Në faqen zyrtare në Facebook të ndërmarrjes Trepça Sh.A janë publikuar disa fotografi të grevistëve dhe personave të vullnetit të mirë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar minatorët e mbyllur në minierë. Në këtë postim ndër të tjera thuhet se këta persona janë sabotues dhe bojkotues të punës, duke kërcënuar se ndaj të njëjtëve do të merren vendime, duke kërcënuar minatorët grevist dhe duke shfaqur fytyrën e tyre të vërtetë”, thuhet në reagim.

Tutje, sindikata thekson se “një tendence të tillë frikësuese dhe shantazhuese ndaj minatorëve grevist e konsiderojmë si përpjekje të dështuar, të një menaxhmenti të papërgjegjshëm, joprofesional dhe dhe jolegjitim”.

“Në vend se menaxhmenti të solidarizohet dhe të plotësoj kërkesat e minatorëve, duke marrë parasysh situatën e rëndë shëndetësore dhe rrezikun për jetë që është duke iu kanosur grevistëve, ata gjejnë kohën të shantazhojnë dhe të njollosin grevën e minatorëve. Kjo sjellje është e turpshme. Minatorët nuk frikësohen, minatorët nuk kërcënohen dhe minatorët nuk dorëzohen”, përfundon reagimi.


Ndërmarrja “Trepça” publikon fotografi, thotë se po sabotohet puna dhe po sjellen drekat e darkat

Ndërmarrja “Trepça” ka dalë me një njoftim rreth situatës së krijuar pas grevës së minatorëve të minierës me flotacion.

Në njoftim thuhet se sabotimi dhe bojkotimi i punës nuk është zgjidhja e problemeve.

“Fotot më poshtë janë vetëm disa nga ato që janë marrë nga kamerat e sigurisë të Trepça Sh.A. dhe që janë vendos për të ruajtur pronën dhe sigurinë e ndërmarrjes. Nga këto foto shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës, hyrje dalje të pakontrolluara të punëtoreve si dhe sjellja e drekave e darkave për sabotuesit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit thuhet se menaxhmenti i Trepça Sh.A. do të ndërmerr shumë shpejtë vendime që do të bazohen në argumente dhe fakte, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrja të kthehet në binarët e vet të funksionalizimit.

Ndryshe sot është dita e gjashtë që kur ka nisur greva e minatorëve. Destan Kërleshi, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës” për portalin rtv21.tv tha se gjatë natës kanë kërkuar ndihmë mjekësore 9 minatorë, 4 prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe 1 është ende në emergjencë për trajtim mjekësor.

Minatorët e “Trepçës” po e vazhdojnë grevën me kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit./21Media 

Back to top button