Kaloni te përmbajtja kryesore

Sindikata e policisë nënshkruan marrëveshje me sindikatën e Sllovenisë

Si rezultat i përkushtimit të përbashkët për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe profesionalizmit të punonjësve të policisë, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar ndërmjet Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK) dhe Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje.

Sipas njoftimit, kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm historik për fortësimin e lidhjeve sindikale dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në nivel ndërkombëtar.

Marrëveshjen e nënshkruan Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, dhe Presidentja e Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje, Anita Arzenshek, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të barabartë midis dy organizatave.

Ky bashkëpunim ka për qëllim: Forcimin e solidaritetit sindikal ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave profesionale; Organizimin e aktiviteteve profesionale, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta për përfaqësuesit sindikalë dhe punonjësit e policisë; Zhvillimin e projekteve sociale, kulturore, sportive dhe edukative që kontribuojnë në mirëqenien e punonjësve dhe Forcimin e bashkëpunimit institucional dhe sindikal në nivel evropian.

“Ky nënshkrim vendos Sindikatën e Policisë së Kosovës në një rol të fuqishëm në rrjetin evropian të sindikatave policore, duke u bërë partner strategjik për bashkëpunime të ardhshme ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës zyrtare në Pejë, përfaqësuesit e të dy sindikatave zhvilluan takime profesionale, vizituan institucione kulturore dhe diskutuan planet e aktiviteteve të përbashkëta për vitin e ardhshëm, të cilat do të forcojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar midis Kosovës dhe Sllovenisë.

Në fund thuhet se kjo marrëveshje është dëshmi e qartë se bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë shtylla themelore të zhvillimit sindikal dhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve të policisë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button