Sindikatat e Shërbimit Civil kërkojnë nga Thaçi të mos e dekretojë ligjin për pagat

““Ligj i të fortit”, i miratuar para fushatave elektorale që thellon edhe më shumë dallimin e kategorive të të punësuarve buxhetorë”

Dy kryesitë e Sindikatave të Shërbimit Civil të Kosovës kanë shprehur shqetësimin për anashkalimin e shërbimit civil si kategori e nëpunësve të shtetit në Ligjin për Pagat dhe kërkojnë nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë ligjin, pasi si i tillë thellon edhe më shumë dallimin e kategorive të të punësuarve buxhetorë.

Në një deklaratë për media bëhet e ditur se seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën u miratua ligji për pagat, u shndërrua në një treg biznesi dhe shitblerjes së koeficienteve për vota elektorale, duke mos e respektuar nocionin ligjor të pagës bazë dhe duke ia dhënë epitetin “Ligj i të fortit” e jo ligj që determinon pagë të njëjtë për punë të njëjtë.

“Ne si sindikata do të njoftojmë OSBE-në, ambasadorët e Quintit të shteteve mike në Kosovë, Avokatin e Popullit për elementet diskriminuese në këtë ligj dhe do të bisedojmë me Avokatin e Popullit mbi bazën juridike mbi trajtimin e elementeve diskriminuese nga Gjykata Kushtetuese për kthimin e tij përsëri në Kuvend, dhe njëkohësisht do të kërkojmë nga presidenti i Kosovës që të mos e dekretojë ligjin pa u bindur se vërtet ky ligj a është ligj që përcakton “pagë të njëjtë për punë të njëjtë apo të ngjashme”, apo është  “Ligj i të fortit”, i miratuar para fushatave elektorale që thellon edhe më shumë dallimin e kategorive të të punësuarve buxhetorë që nuk përkon me parimet themelore të përcaktuara në nenin 3 të Ligjit për pagat”, bëhet e ditur më tutje në deklaratën për media.

Back to top button