Sipas Thaçit kjo është përgjigja e Putinit për marrëveshjen Kosovë-Serbi
“E pyeta shumë drejtpërdrejt – cili do të ishte reagimi i Rusisë nëse Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje? Përgjigja e tij ishte se ai do ta mbështesë atë”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se përkrahësi i madh i Serbisë, Rusia kishte premtuar të mbështeste pajtimin përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës, kështu duke e hequr një pengesë të mundshme në bisedimet e zvarritura.
Sipas mediumit francez “France24”, presidenti, Thaçi ka thënë see ai foli me homologun e tij rus, Vladimir Putin në muajin nëntor, në takimin e parë midis të dy palëve, derisa merrnin pjesë në përkujtimet e njëqindvjeçarit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
“E pyeta shumë drejtpërdrejt – cili do të ishte reagimi i Rusisë nëse Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje? Përgjigja e tij ishte se ai do ta mbështesë atë”, ka deklaruar, Thaçi në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Washington.
“Përgjigjja e tij ishte se ne nuk mund të jemi më serbë sesa serbët. Nuk mund të them se jam impresionuar, por do të mirëprisja nëse do ta mbajë fjalën e tij”, ka thënë ai.
Mediumi francezë ka bërë të ditur se Rusia gëzon veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ka lidhje të forta kulturore dhe politike me Serbinë, e cila ka bërë fushatë për ta mbajtur Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
“France24” gjithashtu ka shkruar se Kosova, popullata e së cilës është kryesisht shqiptare etnike, ka shpallur pavarësinë pas një lufte të përgjakshme dhe bombardimeve nga NATO, e cila vazhdon të jetë një forcë paqeruajtëse në Kosovë. Bisedimet e drejtuara nga BE-ja për pajtimin kanë bërë pak përparim. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kohët e fundit shkroi një letër që ofronte ndihmë amerikane për të ndërmjetësuar një marrëveshje. Por, Thaçi gjithashtu, përballet me opozitën në shtëpi, me kryeministrin Ramush Haradinaj duke hedhur poshtë idenë e presidentit për shkëmbimet e territorit me Serbinë”, ka shkruar tutje France24.
Mediumi francez ka theksuar se në Washington, Thaçi ka thënë se këmbimet e tokës do të ishin “pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje” dhe këmbënguli se: “Nuk do të ketë kufij të bazuar në linjat etnike”.
“Jam i bindur se kjo do të mbyllë njëherë e përgjithmonë luftën midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të hapë një rrugë të sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE, për të dy vendet”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka vënë në dukje zgjidhjen e fundit të mosmarrëveshjes së vjetër të emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, që ranë dakord të riemërtonin Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një shenjë se grindjet e thella mund të përfundojnë.