Situata pas vërshimeve, ministri Peci: Asnjë dëm nuk do të anashkalohet nga qeveria

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se ka vizituar Mitrovicën, Zubin Potokun, Skenderajn, Klinën e Istogun, pas situatës me vërshime.
Peci ka thënë se gjatë vizitës në këto komuna i ka siguruar qytetarët se asnjë dëm nuk do të anashkalohet nga Qeveria e Kosovës.
“Dëmet nga vërshimet ishin të konsiderueshme. Këtë e pashë nga afër teksa vizitoja Komunën e Mitrovicës, Zubin Potokut, Komunën e Skënderajit, atë të Klinës dhe Komunën e Istogut. Në Mitrovicë e Zubin Potok vizitova bujqit e prekur nga këto vërshime dhe i inkurajova që t’i dokumentojnë ato e t’i dorëzojnë pranë Drejtorive për Bujqësi. Poashtu përpos inspektimit të dëmeve nga fatkeqsitë natyrore tek bujqit, zhvillova takime me kryetarët; atë të Komunës së Klinës Zenun Elezaj, të Komunës së Skenderajit Fadil Nura dhe të Komunës së Istogut Ilir Ferati; të cilët më njoftuan në detaje për situatën sfiduese me të cilën po përballen komunat respektive. Bashkëndjeva me qytetarët e prekur nga vërshimet, fatkeqsisht në Mitrovicë, Çabër, Skenderaj, Klinë dhe Istog; si dhe i sigurova ata se asnjë dëm nuk do anashkalohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministri Peci në Facebook.
Ai tutje ka thënë se nga ky vit, Komisioni i Dëmeve në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t’i trajtojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga fatkeqsitë natyrore përfshirë edhe dëmet në sektorin e bujqësisë./21Media

Back to top button