Sivjet u lindën 174 binjakë, 15 trenjakë dhe një rast i katërnjakëve

Sivjet një grua u bë nënë e katërnjakëve, 15 të tjera të trenjakëve dhe 174 gra të tjera lindën binjakë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Këto shifra i ka konfirmuar për portalin rtv21.tv drejtori i Klinikës Gjinekologjike, Jakup Ismajli.
Ismajli ka thënë se gjatë këtij viti prej janarit deri në fund të nëntorit në QKUK kanë ardhur në jetë 8 mijë e 44 foshnja.
“Për 11 muaj të vitit 2021 kemi pasur 8044 lindje deri më 30 nëntor 2021”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa sa i përket moshës së grave shtatzëna që kanë kryer lindje gjatë vitit 2021 në QKUK, sipas drejtorit më e reja ishte 15-vjeçare, ndërsa më e vjetra 50- vjeçare.
Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli për rtv21.tv foli edhe për peshën më të madhe dhe më të vogël të foshnjave që u lindën në këtë klinikë.
“Pesha më e madhe e një bebe e cila ka lind sivjet është 6500 gr. Beba me peshë të vogël është 800 -900 gramesh”, ka thënë ai ndërsa pesha normale e një foshnjë të porsalindur është 2500 gramë.
Këto statistika nuk përfshijnë të dhënat nga spitalet komunale dhe ato nga spitalet apo klinikat private./21Media

Back to top button