S’ka gjetje, ndërpriten gërmimet në Prishtinë
Gërmimet në varrezat e Muhaxherëve, në lagjen “Mati 1” në kryeqytet, janë ndërprerë pa ndonjë gjetje të mbetjeve mortore, për dy shqiptarë të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Por, gërmimet në këtë lokacion pritet të vazhdojnë në javët në vijim, pas analizës së disa informacioneve shtesë.
Kështu ka bërë të ditur Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Ai ka thënë se sfidë mbetet mungesa e informacioneve të sakta.
“Gërmimet për momentin kanë përfunduar ose janë ndërprerë me mundësinë e vazhdimit në ditët, javët në vijim për shkak të nevojës për t’i shqyrtuar disa prej informative plotësuese, por edhe për shkak të nevojës për të gërmuar me shumë kujdes meqë po flasim për një hapësirë të varrezave për të evituar çfarë do gabimi të mundshëm. Në gërmimet e sotme nuk është hasur në mbetje mortore ose eshtrave të dy viktimave të cilët kanë qenë duke u kërkuar, por pas shqyrtimit të disa informative plotësuese ne do të kthehemi sërish në këtë lokacion”, u shpreh ai për KosovaPress.
Mëngjesin e sotëm, ekipet mjekoligjore dolën për të gërmuar për mbetjet mortore të dy personave të zhdukur gjatë luftës.
Në varrezat në lagjën “Mati 1” edhe më herët janë bërë gërmime të cilat kishin rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të gjashtë personave të zhdukur.
Në Kosovë nuk dihet ende fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Më 2 maj në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për Deklaratën e Personave të Zhdukur.