Kaloni te përmbajtja kryesore

S’ka konsensus për presidentin, Kosova drejt zgjedhjeve të reja?

Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin marrëveshje politike për të siguruar minimumi 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri. Deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, thotë se preferojnë një marrëveshje me LDK-në, por, sipas tij, janë në pritje të zhvillimeve të brendshme në këtë parti pas kërkesave për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Kanë mbetur edhe tri javë në mënyrë që LDK-ja të arrijë një konsensus të brendshëm. Ne duam dhe e kemi bërë të qartë se synojmë një marrëveshje politike për të gjitha institucionet. Kjo ka qenë edhe kërkesa e LDK-së. Në muajt mars dhe prill, LDK-ja kërkonte një marrëveshje klasike politike. Negociatat kanë qenë në rrugë të duhur për të arritur një marrëveshje të tillë, në mënyrë që të hyhet në seancë, të zgjidhet kryetari i Kuvendit, të rikonfirmohet në detyrë kryeministri Kurti dhe më pas të zgjidhet edhe çështja e presidentit, duke i dhënë Kosovës institucione stabile.”
Në LDK nuk kanë preferuar të komentojnë mundësinë e një marrëveshjeje me LVV-në, e cila do të përfshinte edhe zgjedhjen e presidentit. Zyrtarë të kësaj partie thonë se aktualisht fokusi mbetet te zhvillimet e brendshme pas kërkesave për shkarkimin e Lumir Abdixhikut.
Ndwrkohw, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, vlerëson se në mungesë të një marrëveshjeje politike vendi do të shkojë sërish në zgjedhje. Ajo ritheksoi se AAK-ja do ta mbështeste zgjedhjen e presidentit vetëm nëse paraprakisht merren parasysh gjashtë kërkesat e kësaj partie, ndër to edhe pranimi i projektit për gazin amerikan. Kadrijaj iu përgjigj edhe kritikave të LVV-së, të cilën i kanë cilësuar këto kërkesa si të paarsyeshme.

“Ne nuk kemi kërkuar pozitën e presidentit, as ndonjë ministri. Kemi paraqitur kërkesa legjitime, të cilat do t’i mbështeste secili qytetar. Afatet kushtetuese po kalojnë. Fillimi i gushtit është afati i fundit kur duhet të konstituohet Kuvendi dhe nuk po shohim ndonjë angazhim serioz nga LVV-ja në këtë drejtim.”, tha Kadrijaj për rtv21.

Ndërsa anëtari i PDK-së, Shemsi Jashari, kritikoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për vonesën në thirrjen e seancës konstituive. Ai tha se PDK-ja do të mbetet në opozitë, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje politike, sipas tij, e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Shemsi Jashari, PDK

“Deri më tani kemi parë një neglizhencë të konsiderueshme nga LVV-ja në raport me krijimin e institucioneve. Vonesat në thirrjen e seancës konstituive janë të pajustifikueshme. Çdo vendimmarrje pa një marrëveshje paraprake politike na çon drejt zgjedhjeve të reja.”, u shpreh Jashari.

Këtyre kritikave iu përgjigj deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse partitë nuk arrijnë pajtim për një kandidat konsensual për president.

“Nëse nuk arrihet kompromis për një emër që do t’i kënaqte të gjitha partitë politike, pra për një kandidat konsensual, zgjedhjet mund të duken të pashmangshme. Megjithatë, ne nuk i dëshirojmë zgjedhjet, sepse nuk janë zgjidhja më e mirë. Në këtë fazë mendojmë se presidenti duhet të jetë një figurë jopartiake dhe mbi palët politike.”, tha Qorrolli.

Sipas Kushtetutës, presidenti i ri zgjedhet me të paktën 80 vota në dy raundet e para të votimit. Për këtë arsye pa një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare, zgjedhja e presidentit konsiderohet pothuajse e pamundur.

Ndërkohë, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se u ka lënë hapësirë partive politike për të arritur një marrëveshje, me theks të veçantë në zgjidhjen e çështjes së presidentit, para se të thërrasë seancën konstituive./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button