S’ka koronavirus në Kosovë, sot rezultatet e 7 pacientëve dolën negativ
Nga 8 shkurti janë testuar gjithsej 30 mostra
Vetëm gjatë ditës së sotme shtatë pacientë janë dyshuar për koronavirus, por kanë rezultuar negativ pas testimit që iu është bërë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Siç njofton ky institut nga data 8 shkurt deri më sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 30 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative, përcjell 21Media
“Nga data 01.02.2020 deri me 28.02.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 687 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 172 udhëtarë, Vërmicë 302, Merdare 170, Hani i Elezit 22, Dheu i bardhë 14 dhe Kullë 7 udhëtarë.”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e IKSHPK-së
Tutje IKSHPK bën të ditur se janë rritur masat për monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë./21Media
