(S)’ka krizë votash në Kuvend

Largimi i deputetëve Visar Korenica dhe Eman Rrahmani u tha se do të jetë sfidues për partinë në pushtet që të sigurojë votat në Kuvend për votimin e rreth 54 projektligjeve që kanë mbetur pa u votuar në lexim të dytë. Por, sipas shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ky subjet ende është shumicë në Kuvend dhe se përmbyllja e kësaj legjislature nuk do të jetë dramatike.
“Nuk parashohim diçka më dramatike javët në vijim, unë uroj që në nivelin e njëjtë të hyjmë në një periudhë më dinamike para përmbylljes së sesionit vjeshtor. Është e domosdoshme që diku 54 projektligje që janë në mes të dy leximeve të përmbyllen në këtë legjislaturë”, tha Mimoza Kusari, Shefe e GP-LVV
Por, tjera fjalë kanë kolegët e saj nga opozita, të cilët thonë se Kuvendi ka hyrë në një krizë duke jo funksional deri në zgjedhjet e ardhshme. Përkundër situatës opozita premton se do të marrë pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ne do t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, por në çështjet e projektligjeve ku kërkohet shumicë e thjeshtë normalisht që nuk do të marrim pjesë. Ka një shthurje të madhe brenda LVV sa i përket numrave”, tha Ablerat Tahiri, shef i deputetëve të PDK-së
“LDK e ka konfirmuar dhe vazhdon të konfirmojë pjesëmarrjen në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë në interes të vendit, por si duket shumica parlamentare është humbur dhe problemet vazhdojnë.”, tha Gashi.
“…Kemi të bëjmë me një qeveri jo transparente, me një qeveri arrogante që është sjelle në mënyrë arrogante duke menduar se ka shumicën absolute dhe në fakt jemi pa rezultate”, tha Tahiri.
Përveç marrëveshjeve ndërkombëtare që janë bartur nga seanca në seancë, në rend ditë për votim në seancën e cila do të mbahet të enjten është edhe çështja e fertilizimit artificial, një pikë e nxehtë për dy ish-deputetët e LVV-së, Korenica dhe Rrahmani, të cilët tashmë kanë krijuar koalicionin “Lista për Familje” me AKR-në dhe PD-në. Përfaqësuesi i “Listës për familje”, Eman Rrahmani, ditë më parë i ka thënë RTV21, se nuk do ta votojnë këtë projektligj pa u ndryshuar disa nene të caktuara. Ndërkohë shefja e deputetëve të LVV-së Mimoza Kusari tha se pret nga opozita që ta sigurojë kuorumin për votimin e këtij projektligji.
“Opozita ka premtuar që do të qëndrojë në sallë për ta krijuar kouruimin pra shumicën e thjeshtë…”,tha Kusari.
Ndërsa monitorues të punës së Kuvendit thonë se ka projektligje që kanë mbetur në shqyrtim që nga fillimi i këtij viti, që vlerësohet me notë negative për vendin.
“Do t’iu duhet koordinim me opozitën sepse kemi ligje që nga marsi që nuk kanë hyrë në shqyrtim pra Kuvendin nuk ka qenë efikas në punën e tij dhe deputët duhet ta kryejnë punën për të cilën janë të thirrur”,Violeta Haxholli, KDI
Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit është vendosur që seanca parlamentare të mbahet të enjten e cila do të jetë vazhdimësi e seancës së fundit e cila ka dështuar në mungesë të kuorumit.