S’ka liberalizim për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

Raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Thjis Reuten, është pyetur për ata serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi nëse me to mund të udhëtojnë lirshëm pas vendimit për liberalizimin e vizave.

Beogradi siç dihet nuk u lëshon të njëjtën pasaportë serbëve që jetojnë në Kosovë, sikur atyre që jetojnë në Serbi.

Për serbët e Kosovës dokumenti i udhëtimit lëshohet nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së dhe me të nuk mund të udhëtohet pa vizë.

Reuten tha se kjo s’mund të ndodhë meqë ligji është i qartë që në zonën Schengen mund të udhëtojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës.

“Besoj që legjislacioni është i qartë, pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare dhe [sa i përket] pasaportave të serbëve që veçse jetojnë në Serbi, ata kanë liberalizim tashmë. Është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq javën e kaluar tha se çështjen e udhëtimit pa viza për serbët e Kosovës e ka ngritur në kuadër të dialogut Kosovë -Serbi.

Back to top button